Aktualitet Kokaina e kapur te bananet, Policia jep detajet e operacionit: Arrestohen 3...

Kokaina e kapur te bananet, Policia jep detajet e operacionit: Arrestohen 3 persona

Policia e Shtetit ka dhënë detaje për sekuestrimin e 119 kg kokaine të zbuluar një ditë më parë në magazinat e një kompanie importi frutash në Vaqarr të Tiranës.

Droga u gjet në një kontejner me banane të nisur nga Amerika Latine dhe që kishte kaluar tranzit në një nga portet e Italisë. Autoritetet doganore në vendin fqinj kanë konstatuar se kontejnerit i mungonte plumbçja apo vula. Për këtë arsye kanë ushtruar kontroll dhe kanë vënë re mungesë të arkave me banane.

Pas kësaj kontejneri është mbyllur, riplumbosur duke e shoqëruar me procesverbalin përkatës.

Kontejneri ka mbërritur në portin e Durrësit dhe pas veprimeve të zhdoganimit dhe kontrollit në skaner ka rezultuar i pastër dhe ka dalë nga porti, me destinacion magazinat e firmës në periferi të Tiranës.

Por në afërsi të fshatit Romanat në rrugën nacionale Durrës-Tiranë kamioni është ndaluar nga disa persona ende të paidentifikuar, të cilët për disa minuta kanë ushtruar kontroll në kamion dhe në kontejner dhe më pas janë larguar me shpejtësi.

Për këtë ngjarje përfaqësuesit e firmës importuese të bananeve kanë njoftuar Policinë e Shtetit. Uniformat blu bënë një kontroll të imtësishëm në kontejner dhe gjetën 119 kilogramë kokainë.

Në pranga u vunë drejtuesit e automjeteve të firmës Hasan Salihu 63 vjeç dhe Gëzim Kalaja 31 vjeç, si dhe 34-vjeçari Marson Murataj, administratori kompanisë. Policia thotë se vijon punën për të gjetur porositësit e drogës dhe personat që ndaluan dhe kontrolluan kontejnerin në mes të rrugës.