Aktualitet Kolegji rikthen për herë të parë në detyrë një gjyqtar të shkarkuar...

Kolegji rikthen për herë të parë në detyrë një gjyqtar të shkarkuar nga KPK

Gjyqtari Fuat Vjerdha pas vendimit të KPK-së

Fuat Vjerdha i Apelit të Shkodrës u rikthye në detyrë me vendim unanim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, duke shënuar rastin e parë të prishjes së një vendimi shkarkimi në shkallë të parë.

Nga Edmond Hoxhaj / BIRN

Fuat Vjerdha është i pari gjyqtar i shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili rikthehet në detyrë me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Të premten, trupa e kryesuar nga Ardian Hajdari, me relatore Ina Rama dhe anëtarë Albana Shtylla, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz njoftoi se kishte prishur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e shkarkonte Vjerdhën për “cënim të besimit të publikut te drejtësia”.

Fuat Vjerdha e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1994 dhe në nisje të procesit të vetingut ushtronte detyrën e kryetarit të Gjykatës së Apelit të Shkodrës.

Vjerdha iu nënshtrua një procesi të gjatë vetingu në KPK. Ndaj tij u zhvilluan dy seanca dëgjimore dhe ai u pyet kryesisht mbi pasurinë dhe vendimmarrjen në disa raste. Procesi ndaj tij në KPK u krye nga një trupë e kryesuar nga Olsi Komici, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Pamela Qirko.

Vendimi i KPK-së për shkarkimin e Vjerdhës bazohej kryesisht në vendimmarrjen e tij dhe dy kolegëve të Apelit të Shkodrës për të lehtësuar dënimin e Sokol Mjacaj, i akuzuar bashkë me dy persona të tjerë për vrasjen e një 13-vjeçari në vitin 2010. Mjacaj, që po ashtu ishte vetëm 13 vjeç në këtë kohë, u dënua fillimisht me 10 vjet burg, por në Apel ai u dënua vetëm për moskallëzim krimi me 4 vjet burg. Pas lirimit, Mjacaj vrau dy turistë dhe zbutja e dënimit të tij në Apel u kthye në debat publik.

Vjerdha këmbënguli në seancë dëgjimore se kishte krijuar bindjen që Mjacaj nuk kishte marrë pjesë në vrasje. Në mbrojtjen e tij, Vjerdha kishte këmbëngulur se vendimet kishin qenë të bazuara në ligj dhe në bindjen e brendshme, ndërsa kundërshtoi akuzat dhe denoncimet që iu bënë.