Politika Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e PD-së për përjashtim të 7 gjyqtarëve

Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e PD-së për përjashtim të 7 gjyqtarëve

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për përjashtimin e 7 gjyqtarëve, nga 8 që janë në total, nga procesi i shqyrtimit të padive për zgjedhjet e 25 prillit.

Kërkesa e PD-së u publikua një ditë më parë, ku sipas demokratëve këta gjyqtarë me vendimet e marra deri më tani kanë refuzuar transparencën mbi masakrën zgjedhore të 25 prillit.

“Refuzimi i kërkesave të PD për marrjen zyrtarisht të provave i vendos këta gjyqtarë në pamundësi për të gjykuar me paanësi 6 kërkesat e tjera të ngjashme të PD për blerjen e votës dhe deformimin e rezultatit të zgjedhjeve përmes përdorimit të shtetit në funksion të PS”, thuhej në kërkesën e selisë blu.

PD argumentoi se duke qenë se këta gjyqtarë e kanë shprehur tashmë mendimin e tyre kundër kërkesave të selisë blu për zgjedhjet, ata do të vazhdonin të mbanin të njëjtin qëndrim edhe për paditë e tjera që janë në shqyrtim.