Bota Komentet raciste, katër ligjvënëset demokrate i përgjigjen Trump

Komentet raciste, katër ligjvënëset demokrate i përgjigjen Trump

Katër ligjvënëset demokrate të sulmuara nga presidenti amerikan Donald Trump, në ato që u konsideruan si komente raciste në Twitter, thanë se Trump po përpiqej të devijonte vëmendjen nga politikat e tij të dështuara.  Alexandria Ocasio-Cortez, Ilhan Omar, Ayanna Pressley dhe Rashida Tlaib i bënë thirrje amerikanëve të mos binin pre e lojës së kreut të Shtëpisë së Bardhë.

“Pavarësisht se presidenti po përpiqet të na diskriminojë apo heshtë, ju bëjmë me dije se ne jemi më shumë se katër persona. Ne kemi mandatin të përfaqësojmë personat e shpërfillur dhe të lënë pas. Grupi ynë është i madh. Inkurajojmë amerikanët të mos bien pre. Kjo është një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga politikat e dështuara mbi emigracionin, kujdesin shëndetësore dhe taksat”, deklaroi Ayanna Pressley.

Presidenti amerikan u tha të dielën kongresmeneve me ngjyrë të kthehen në vendet e origjinës për të  ndrequr kriminalitetin atje. Trump, i cili i mohon akuzat për racizëm, nuk i përmendi emrat e grave në postimin në Twitter, por konteksti e bëri të qartë lidhjen me 4 demokratët e njohura si “skuadra”.

Tri prej tyre kanë lindur në Shtetet e Bashkuara, ndërsa njëra, Ilhan Omar ka lindur në Somali, por ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara që fëmijë. Gjatë konferencës për shtyp, Omar dhe Tlaib përsëritën thirrjet për impeachment të presidentit Trump.

Gratë u vunë në shënjestër të sulmeve të Trump, pasi kritikuan kushtet në një qendër të ndalimit të emigranteve gjatë një dëshmie në Dhomën e Përfaqësuesve.