Politika Komisionet e Kuvendit pa gazetarë, Meta: Praktikë e ngjashme me regjimin e...

Komisionet e Kuvendit pa gazetarë, Meta: Praktikë e ngjashme me regjimin e Lukashenkos

Një akt të dënueshëm dhe antidemokratik e ka konsideruar presidenti Ilir Meta vendimin e kuvendit për ndalimin e medias  për të ndjekur fizikisht punimet e komisioneve parlamentare. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i shtetit thekson se vjen në të njëjtën kohë me nxitimin e mazhorancës për vendosjen nën kontroll të plotë të Autoritetit të Mediave Audiovizive, duke kufizuar lirinë e medias dhe duke instaluar një regjim censure.

“I dënueshëm, i papranueshëm dhe antidemokratik, vendimi i Kuvendit njëpartiak për ndalimin e raportimit të pavarur të gazetarëve dhe zëvendësimin me transmetime zyrtare të kontrolluara. Ky akt, që vjen në të njëjtën kohë me nxitimin e mazhorancës për uzurpimin në mënyrë të njëanshme dhe vendosjen nën kontroll të plotë të Autoritetit të Mediave Audioviziv, kufizon lirinë dhe pavarësinë e medias, instalon një regjim censure, shkel të drejtat e njeriut dhe dëshmon sërish armiqësinë e këtij Kuvendi monist me lirinë e medias dhe demokracinë në Shqipëri”, shprehet Meta.

Sipas tij kuvendi aktual ka vendosur të shtypë fjalën e lirë, duke përfshirë miratimin e paketës “Antishpifje”, në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Është pikërisht Kuvendi aktual, që në historinë e parlamentarizmit pluralist ka marrë vendimet më skandaloze për shtypjen e fjalës së lirë, përfshi miratimin dhe mostërheqjen prej gati një viti të paketës antikushtetuese “Antishpifje”, në refuzim të hapur të rekomandimeve të Komisionit të Venecias”.

Meta mbështet shqetësimin e gazetarëve të pavarur shqiptarë dhe i bën thirrje Kuvendit dhe mazhorancës të tërhiqet menjëherë nga praktika e ngjashme me regjimin e Lukashenkos.

“Duke mbështetur shqetësimin e drejtë të komunitetit të gazetarëve të pavarur shqiptarë dhe të kolegëve të tyre të huaj, mbi regresin e Shqipërisë në raport me lirinë e medias, i bëj thirrje Kuvendit monist dhe mazhorancës të tërhiqet menjëherë nga këto praktika të ngjashme me regjimin e Lukashenkos, që po dëmtojnë seriozisht integrimin europian të vendit”.

Nesër seanca për Metën, 94 vota për ta shkarkuar nga detyra

Për herë të parë në historinë e politikës shqiptare, kuvendi do të votojë të mërkurën e 9 qershorit për shkarkimin e një Presidenti nga detyra.

Mazhorancës socialiste i duhen 94 vota për ta larguar Ilir Metën nga detyra përpara përfundimit të mandatit. Ndërkohë, përpara nisjes së seancës plenare, kryeministri Rama do të kthehet në Tiranë pas vizitës në Hungari dhe Bullgari.

Komisioni parlamentar i ngritur për të hetuar veprimtarinë e Presidentit Ilir Meta gjatë zgjedhjeve të 25 prillit i ka konsideruar “shkelje të rënda” qëndrimet dhe deklaratat e shprehura prej tij.