Politika Komisioni Europian, shpërblim më të madh për Maqedoninë e Veriut se sa...

Komisioni Europian, shpërblim më të madh për Maqedoninë e Veriut se sa për Shqipërinë

Udhëtimi i parë i Komisionerit të ri për Zgjerimin në vendet që presin hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian u shoqërua edhe me vlerësim performance. Në Twitter, Oliver Varhelyi përgëzoi Shqipërinë për reformat në drejtësi, posaçërisht vetting-un e gjyqtarëve dhe prokuroreve.

Përkushtimin dhe vendosmërinë e Komisioni Europian e shpërblen me 28 milionë euro, nëse dhe Komisioni i Jashtëm në Parlamentin Europian do të japë dritën jeshile. Komisioneri për zgjerim bëri thirrje për vijim të reformave dhe rezultate konkrete.

Por çfarë bie në sy është se Maqedonia e Veriut vijon të jetë para nesh në rrugëtimin tonë të njëkohshëm për marrjen e negociatave të anëtarësimit. Varhelyi propozoi shpërblimin prej 50 milionë eurosh, për atë që e cilësoi “progres domethënës për reformat e vështira”, duke inkurajuar vazhdimin e tyre.