Politika “Komitët e Lalzit po nxisin komunitetin mysliman t’i bashkohet revolucionit imagjinar”

“Komitët e Lalzit po nxisin komunitetin mysliman t’i bashkohet revolucionit imagjinar”

Kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në Facebook, u shpreh se opozita po mundohet të nxisë komunitetin mysliman që t’i bashkohet “Revolucionit të tyre imagjinar për Bajram”.

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se do të nisë hapja e kulteve fetare.

Për të gjithë besimtarët myslimanë të cilët festojnë nesër Fiter Bajramin, Rama tha se ata do të mund të shkojnë në xhami, por duke pasur parasysh rregullat që janë vendosur në mënyrë që të parandalohet përhapja e Covid-19.

Por kreu i qeverisë ka zgjedhur që t’u përgjigjet me ironi të gjithë kritikëve, ndërsa thotë se opozita po mundohet të nxisë komunitetin mysliman që t’i bashkohet “Revolucionit të tyre imagjinar për Bajram”.

“Komitët patriotë dhe parimorë të Shqupit e të Lalzit, që prej vitesh përleshen për popullin e shtypur dhe shfaqen si çeta e Shahin Verdhës së Vitit të Mbrapshtë, herë me molotov e me gurë, herë me mandatin e djegur e herë me kafkën e Hamletit në dorë, kudo e kurdo ne të tjerët përpiqemi të ndryshojmë për mirë Shqipërinë e të ndërtojmë vepra të reja, pasi sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të Karakatinës së Teatrit Kombëtar, janë ringjallur si ndjekës të flaktë të profetit për të nxitur komunitetin musliman t’u bashkohet Revolucionit të tyre Imagjinar për Bajram. Zoti u ktheftë ndonjë pikë nga vaji i kandilit të arsyes që u ka shterrur krejt, se tjetër derman për ta kjo tokë nuk ka përveç keqardhjes e mëshirës për lajthitjen e tyre”, shkruan Rama, përpara se të japë njoftimin se nga java e ardhshme do të hapet aktiviteti i tempujve.

“Pasi kemi bashkëpunuar këto javë me komunitetet fetare dhe kemi përgatitur protokollet e sigurisë shëndetësore, duke marrë, vlerësuar e miratuar propozimet e tyre, jemi gati të vendosim çeljen e aktivitetit të tempujve nga java e ardhshme, me të gjitha kufizimet përkatëse, duke e nisur nesër me këmbë të mbarë e me bekimin e dritës së ditës së bukur të kalendarit të besimit. Duke ju uruar megjithë zemër bajramin besimtarëve muslimanë, uroj edhe që hapja e xhamive (nën kujdesin e madh të drejtuesve shpirtërorë të komunitetit për respektimin e protokollit të propozuar prej vetë atyre) të jetë një ogur i mirë paqeje e mirësish, për të gjitha komunitetet dhe vetë Shqipërinë e shqiptarët në këtë kohë jo të lehtë”, shton Rama në rrjetin social.