Aktualitet Komiteti i Ekspertëve: Masat kundër Covid nuk ndryshojnë

Komiteti i Ekspertëve: Masat kundër Covid nuk ndryshojnë

Komiteti i Ekspertëve në një mbledhje të zhvilluar sot ka komunikuar vendimet e reja lidhur me situatën e Covid.

Sipas kryetares e Komitetit, Mira Rakacolli, situata mbetet e qëndrueshme ndaj dhe nuk do të ketë ndryshim të masave.

“Situata këtë javë mbetet e qëndrueshme, për këtë arsye Komiteti mendon që të mos ketë ndryshim të masave në fuqi”, u shpreh Rakacolli.

Por zëvendës ministrja ka theksuar edhe njëherë që respekton masat në fuqi, pasi vetëm duke zbatuar masat mund të parandalohet infektimi nga virusi.

Po ashtu anëtarët e Komitetit të Ekspertëve kanë bërë thirrje për vaksinimin.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, tha se vaksinimi po ecën në ritme të mira, ku 741 819 persona kanë kryer  vaksinimin total me dy doza.

Fico deklaroi se Gjirokastra është qyteti me vaksinimin më të lartë në të gjithë Shqipërinë.

“741 819 persona kanë kryer  vaksinimin total me dy doza. Kemi Gjirokastrën me 73%, Përmetin më pas, apo Pukën. Vijojmë të jemi në muajin e hapur të vaksinimit masiv. Është një periudhë me hapjen e shkollave dhe të gjithë personat duhen vaksinuar”.

Ndërkohë, Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë, Silva Bino ka theksuar se në Shqipëri nuk është humbur asnjë dozë e vaksinave anti-covid që kanë mbërritur. Ajo ka shtuar se të gjitha dozat janë injektuar në kohë dhe me parametrat e duhura.