Aktualitet Komiteti i Ekspertëve nuk ndryshon masat: Të shtruarit në spitale, të pavaksinuar

Komiteti i Ekspertëve nuk ndryshon masat: Të shtruarit në spitale, të pavaksinuar

Komiteti i Ekspertëve vendosi të mbajë të pandryshuara masat e vendosura kundër pandemisë së koronavirusit në vendin tonë.

Në mbledhjen e radhës, Komiteti konfirmoi praninë e virusit Delta në vend pas analizave të kryera në Gjermani dhe bëri thirrje që të zbatohen masat kryesore kundër pandemisë.

Zv/ministrja Rakacolli u shpreh se nga survejimi i situatës është konstatuar që rastet e shtrimeve këto ditë në spitale janë persona të pavaksinuar.

“Ka një rritje të lehtë të numrit të rasteve, shtrimet janë të ulëta, numri i rasteve të shtruara që sëmuren më rëndë janë të pavaksinuar. Rastet po rriten mes personave që janë të pavaksinuar

Pavarësisht Deltës në Shqipëri mbrojtja është njësoj dhe niveli i masave nuk ka nevojë të ndryshojë. Masat do të jenë po ata. Pavarësisht qarkullimit të deltës, i cili ka infektueshmëri më të lartë, për mbrojtjen e tij do të duhet të vijojmë të përdorim të gjitha masa. Do të duhet të vazhdojmë mbajtjen e maskave në ambiente të mbyllura. Do të vijojë ora policore nga ora 24:00-06:00”, u shpreh Rakacolli.

Varianti Delta qarkullon gjerësisht në Shqipëri, cilat janë qytetet ku është zbuluar

Ndërsa shefja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico është shprehur se për të konfirmuar praninë e variantit Delta të Covid-19 në Shqipëri, janë marrë mostra për periudhën 1 Qershor deri më 12 Korrik. Fico ka përmendur edhe qytetet ku është vënë re prania e këtij varianti.

“Përsa i përket variantit Delta, dyshimi ynë është tashmë konfirmuar. Ne kemi përdorur kite dhe reagentë avangardë. Ky është një proces që është pjesë e punës së ISHP. U dërguan 21 mostra klinike të cilat kanë rezultuar pozitivë. Janë mostra që i kemi vënë mënjanë për periudhën 1 Qershor – 12 Korrik. E rëndësishme është që në këto mostra kemi gjetur në qytete si Tiranë, Elbasan, Kavajë, Peqini, Gjirokastra, Vlora, Shkodra, Lezha, Korça, Mati. Të gjitha rekomandimet e autoriteteve ndërkombëtare kanë kryefjalë vaksinim, kjo bashkërenduar dhe me masat. Qarkullimi i variantit tregon që ne nuk e kemi përfunduar këtë detyrë. Të gjitha rastet që kanë probleme të ngjashme me infeksionet e Covid-19, të karantinohen dhe t’i drejtohen mjekut të familjes”, tha Albana Fico.