Bota Kompanitë amerikane: Jo më fitime me çdo kusht

Kompanitë amerikane: Jo më fitime me çdo kusht

Jo më fitime me çdo kusht: multinacionalet amerikane ndryshojnë prioritetet dhe publikojnë një dokument në të cilin rrëzojnë parimin “aksionerët të parët” që prej vitesh ka udhëhequr politikat e shoqërive.

Teksti i firmosur nga drejtues të kompanive më të mëdha amerikane, pretendon që për të krijuar vlera duhet marrë në konsideratë edhe mbrojtja e ambientit, dinjiteti i punëtorëve dhe respektimi i klientëve.

Administratorët e kompanive kryesore amerikane kanë firmosur një pakt që i angazhon të drejtojnë kompanitë respektive në të mirë të klientëve, punonjësve, furnitorëve, komuniteteve dhe aksionerëve.

Teksti është nënshkruar nga 181 drejtues të mbledhur në një shoqatë që nga 1978 publikon periodikisht një dokument, dedikuar parimeve të korporatave dhe që përfaqëson një pikë kthese, duke patur parasysh se të gjitha botimet e deritanishme, që nga 1997, vinin në vend të parë aksionistët.

Sipas ekspertëve, tani punëdhënësit më të mëdhenj, po investojnë te punonjësit dhe komunitetet e tyre, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të arritur sukses në terma afatgjata.