Politika “Komunikim me kode dhe takime jashtë Shqipërisë”, Hajdari akuza për PD dhe...

“Komunikim me kode dhe takime jashtë Shqipërisë”, Hajdari akuza për PD dhe PS

Deputetja, Rudina Hajdari, i kërkoi mazhorancës që të vendosë për komisionin e reformës zgjedhore pas formimit të grupeve parlamentare.

Duke u distancuar si nga mazhoranca ashtu dhe ish-opozita në Kuvend, Hajdari i akuzoi palët për komunikime me kode dhe takime jashtë shtetit.

Rudina Hajdari: Përfaqësuesi i PD nuk është këtu, nuk është legjitim. Këtu ka deputetë të rinj. Prisni që të formohen grupet parlamentare dhe ne do të bëjmë kërkesën tonë sipas nenit këtu me 7 deputetë  që të ngremë një komision të posaçëm dhe të shqyrtojmë në konferencën e kryetarëve sipas propozimeve tona se çfarë do të ndodhë në këtë Komision.

Unë e di që doni ta bëni këtë shpejt e shpejt por kjo nuk bëhet në këtë lloj mënyre tani siç doni ju dhe vini këtu. Flisni me opozitën jashtë me kode. Këtej flisni se nuk doni këtë, këtej flisni se ata e kanë fajin.

Ju lutem shumë, unë ua kuptoj shumë mirë kodet me njëri-tjetrin dhe e di shumë mirë që bëni takime dhe jashtë Shqipërisë dhe diskutoni se çfarë do të ndodhë, si do të ndodhë dhe kujt do ta t’ia plotësoni qejfet. Por unë këtu nuk kam ardhur të bëhem fasada e asnjërit, e juaja dhe as e ish-opozitës. Unë kam ardhur këtu me parime dhe do të vazhdoj të luftoj për parimet e mia. Unë dua një sistem tjetër. Ti hapim rrugë qytetarëve të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

Të heqim përfaqësues këtu që nuk janë të denjë të përfaqësojnë Shqipërinë, që kanë ardhur me lista të mbyllura, me rekorde kriminale, të paedukuar, pa shkollim të lartë, pa kredite dhe merita për të qenë këtu. Të vijmë këtu dhe të flasim për një sistem zgjedhor që e meriton Shqipëria dhe jo kryetarët e juaj që të mbajnë pushtetin ekzekutiv në këtë parlament. Boll më! Jemi lodhur!