Ekonomi Konferenca e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Shalsi: Mbështetje e vazhdueshme ndaj biznesit,...

Konferenca e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Shalsi: Mbështetje e vazhdueshme ndaj biznesit, prioriteti ynë

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi mori pjesë sot në edicionit e 8-të të prezantimit të indeksit të biznesit nga Dhoma Amerikane e Tregtisë për vitin 2019, ku u publikuan rezultatet e këtij sondazhi.

Ministri Shalsi, u ndal për të theksuar se indikatori i klimës politike në vend ka pasur një rënie prej 7.68 pikë, duke pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në klimën e biznesit. Ndërkohë për tu vlerësuar janë zhvillimet pozitive dhe vlerësimi nga biznesi por dhe AMCHAM për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Gjatë fjalës së tij Ministri Shalsi u përqëndrua tek intensifikimi i urave të komunikimit me biznesin dhe ndjekja hap pas hapi e çdo shqetësimi që sipërmarrjet adresojnë jo vetëm pranë institucionit të ministrisë por edhe në institucione të tjera.

“Ndjekja e ankesave kryhet nëpërmjet një platformë me një sistem gjurmueshmërie duke i dhënë mundësi subjektit të dijë në çfarë hallke gjendet shqetësimi i tij. Natyrisht sistemi ka nevojë të përmirësohet. Gjithashtu nëpërmjet rrjetit të koordinatorëve të biznesit pranë çdo institucioni shtetëror kemi ndërtuar një sistem dëgjese si kurrë më parë” – tha Ministri Shalsi.

Gjithashtu Ministri Shalsi theksoi edhe rëndësinë e kalimit të shërbimeve në sistemin online, jo vetëm të aplikimeve që tashmë është në proces, por të gjithë procedurës.

“Gjatë këtij viti pritet që të gjitha shërbimet e nevojshme për qytetarët dhe sidomos për bizneset të kalojnë online. Përveç shmangies së burokracive dhe vonesave, kjo na ka ndihmuar duke na nxjerrë edhe me mirë në dukje defektet institucionale. Deri në fund të vitit synojmë që 90% e aplikimeve të realizohen online”- u shpreh Ministri Shalsi.

“Mirëpresim çdo sugjerim dhe diskutim nga Dhoma Amerikane e Tregtisë për përmirësimin e klimës së investimeve, dhe sidomos në raport me SHBA-në”, përfundoi Ministri Shalsi.