Kosova Konfirmimi zyrtar nga Xhamajka: Na vjen keq për keqkuptimin, pavarësinë e Kosovës...

Konfirmimi zyrtar nga Xhamajka: Na vjen keq për keqkuptimin, pavarësinë e Kosovës nuk e kemi njohur

Xhamajka konfirmon zyrtarisht se nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Në një përgjigje për Klan Kosovën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Tregtisë së Jashtme e Xhamajkës, ka sqaruar se njohja e pavarësisë është në shqyrtim, por deri tani nuk ka pasur asnjë vendim.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Tregtisë së Jashtme e Xhamajkës është në dijeni për raportimet publike rreth njohjes së Kosovës si shtet i pavarur”, shprehet në njoftim Njësia për Marrëdhënie me Publikun dhe Çështje Mediale e MPJTJ-së së Xhamajkës.

“Çështjet si këto janë në shqyrtim të vazhdueshëm nga Qeveria e Xhamajkës. Megjithatë, tani për tani, Xhamajka nuk ka marrë asnjë vendim rreth çështjes”, thekson komunikata, në të cilën shprehet keqardhja e Xhamajkës si shtet për krijimin e një keqkuptimi të tillë.

Rasti në fjalë u bë kryetitull i të gjitha mediave të Kosovës gjatë kësaj jave që po mbyllet. Gjithçka nisi nga një raportim i presidentit Hashim Thaçi në rrjetet sociale për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Xhamajka.

Thaçi i referohej raportimit të ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, por kjo u pasua nga mohimi i Xhamajkës, çka hapi një debat tjetër në gjirin e politikës së Kosovës.