Aktualitet Konfirmohet në detyrë kreu i prokurorisë së Apelit, Dritan Peka

Konfirmohet në detyrë kreu i prokurorisë së Apelit, Dritan Peka

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të drejtuesit të Prokurorisë së Apelit në Tiranë, Dritan Peka.

Në seancën e drejtuar nga treshja e gjyqtarëve Roland Ilia, Olsi Komici dhe Lulzim Hamitaj, prokurori Peka zgjodhi të ishte vetë i pranishëm bashkë me avokatin për të pritur vendimin.

Gjatë seancës dëgjimore me 18 shkurt në KPK, relatori i çështjes, Lulzim Hamitaj pasqyroi raportin e vënë në dispozicion të dokumentacionit nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), sipas të cilit prokurori Dritan Peka kishte kryer deklarim të saktë në përputhje me ligjin, ka pasur burime të ligjshme, nuk ka kryer fshehje të pasurisë apo deklarim të rremë dhe se nuk ka konflikt interesi.

Megjithatë, Hamitaj deklaroi se hetimi i KPK-së i kishte kaluar prokurorit barrën e provës mbi dyshime për kontrata fiktive, përdorimin e papërshtatshëm të parave të përfituara nga një kredi e butë dhe blerjen e një makine me çmim fiktiv.

KPK konstatoi gjithashtu probleme edhe në aspektin profesional, duke nënvizuar se Peka – në cilësinë e drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Tiranë, nuk kishte marrë masa ndaj një prokurori për mos ushtrimin e rekursi. Komisioni ngriti dyshime edhe për ligjshmërinë e emërimit të një punonjësi të administratës i cili më pas rezultonte të mos kishte qenë në detyrë për një periudhë kohore disa mujore.

Peka i kundërshtoi gjetjet e KPK-së.

Pas analizimit të provave dhe fakteve, KPK vendosi se drejtuesi i Prokurorisë së Apelit Tiranë  përmbush kriteret ligjore duke e konfirmuar në detyrë.