Sport Konfirmohet përçarja te Milani, Maldini në Milanello, Boban jo

Konfirmohet përçarja te Milani, Maldini në Milanello, Boban jo

Humbja e tretë radhazi e Marco Giampaolo-s në drejtimin e Milanit e ka komplikuar jo pak situatën e trajnerit kuqezi, ashtu si planin e tij të rindërtimit të skuadrës. Pas takimit të së dielës në mbrëmje me trajnerin (menjëherë pas humbjes kundër Fiorentinës), Paolo Maldini ishte gjithashtu protagonist i ditës së sotme në kampin kuqezi.

Sipas “Gazzetta dello Sport”, në fakt, këtë mëngjes në Milano, për gjysmë ore është zhvilluar një bisedë kokë më kokë mes trajnerit Giampaolo, drejtorit teknik, Paolo Maldini, dhe drejtorit sportiv, Frederic Massara.

Asgjë nuk u mësua nga ajo që u diskutua, sepse palët e kaluan gjithçka në heshtje. Në Milanello, i pari që mbërriti ishte Marco Giampaolo, dy orë para stërvitjes së planifikuar. Mungesa e madhe ishte Boban, i cili e ka shprehur hapur dyshimin që ka tek aftësitë e trajnerit për ta udhëhequr Milanin që të gjithë presin e kërkojnë, sidomos tifozët.

Këto janë ditë kyçe në kampin kuqezi, por jo vetëm për trajnerin. Le të kujtojmë se pronari, “Elliott”, dëshiron të bindet qartë edhe për udhëheqjen e klubit, e cila vihet në pikëpyetje në të njëjtën mënyrë si Marco Giampaolo. Me siguri, në takimin e sotëm do të jetë diskutuar se si të rikthehet një situatë, që duket tashmë e kompromentuar, pas vetëm gjashtë javësh kampionat në Serie A.