Bota Kongresistja Ocasio-Cortez rrëfen për herë të parë se është një e mbijetuar...

Kongresistja Ocasio-Cortez rrëfen për herë të parë se është një e mbijetuar e sulmit seksual

Politikania demokrate e SHBA-së, Alexandria Ocasio-Cortez, deklaroi të hënën se ajo është një e mbijetuar e sulmit seksual. Kongresistja zbuloi traumën e saj, ndërsa akuzoi republikanët që shfajësohen për trazirat e Kapitolit muajin e kaluar për përdorimin e “taktikave të abuzuesve”.

“Unë jam një e mbijetuar e sulmit seksual, dhe nuk ua kam thënë shumë njerëzve këtë në jetën time”, tha ajo, mes lotëve.

Ajo është një nga demokratët e profilit më të lartë në Kongres. Ocasio-Cortez, një socialiste demokratike, e cila përfaqëson rrethin e 14-të në Nju-Jork, është gjithashtu shpesh një shënjestër e konservatorëve.

Në Instagram, të hënën në mbrëmje, 31-vjeçarja zbuloi pak për kalvarin e saj të sulmit seksual. Ajo shpërtheu ndaj republikanëve konservatorë si senatori i Teksasit Ted Cruz për mohimin e asaj që ajo e përshkroi si përgjegjësinë e tyre për sulmet e Kapitolit, që lanë pesë njerëz të vdekur.

Pasi Cruz javën e kaluar u pajtua me zonjën Ocasio-Cortez për një çështje politike, ajo tha: “Ju gati më vratë tri javë më parë kështu që mund të rrini jashtë”.

Ajo kritikoi Chip Roy, një kongresmen në Teksas, për kërkesën që ajo t’i kërkonte falje z. Cruz. “Këto janë taktikat e abuzuesve, ose më saktë, këto janë taktikat që përdorin abuzuesit”, tha ajo gjatë transmetimit për 150 000 apo më shumë shikues.

Gjatë një transmetimi, më shumë se një orë në Instagram Live, Ocasio-Cortez ndau detaje shqetësuese në lidhje me përvojën e saj, më 6 janar. Një nga aspektet më shqetësuese të historisë ishte ritregimi i saj kur një burrë hyri në zyrën e saj pa paralajmërim dhe bërtiti, “Ku është ajo?” Ocasio-Cortez tha se ajo mendonte se njeriu ishte një kryengritës, por ai ishte një oficer i Policisë së Kapitolit. “Mendova se do të vdisja”, tha Ocasio-Cortez.

”Unë nuk mund të lejoj që kjo të ndodhë përsëri. Unë nuk do ta lë të më ndodhë përsëri. Unë nuk do të lë të ndodhë me njerëzit e tjerë që janë viktimizuar nga kjo situatë përsëri. Dhe unë nuk do ta lejoj të ndodhë kjo me vendin tonë. Ne nuk do ta lejojmë të ndodhë”, theksoi ajo.