Kryesore Kongresmeni, letër DASH-it: Pse Sali Berisha u shpall “non grata”?

Kongresmeni, letër DASH-it: Pse Sali Berisha u shpall “non grata”?

Kongresmeni republikan, Lee Zeldin, i kërkon Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) informacion të detajuar për shpalljen “non grata” të Sali Berishës.

Në letrën dërguar DASH-it, ai shprehet se ish-kryeministri Sali Berisha ka pasur marrëdhënie të forta me liderët e SHBA-së dhe për pasojë, shpallja e tij “non grata” ngre pikëpyetje.

“Departamenti i Shtetit ka shpallur së fundmi sanksione ndaj ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, duke cituar përfshirjen në korrupsion. Sipas këtyre sanksioneve, Berisha, gruaja dhe fëmijët e tij nuk lejohet të udhëtojnë drejt SHBA. Sali Berisha historikisht ka pasur marrëdhënie të forta me liderët e SHBA, duke bërë që shumë njerëz të ngrenë pikëpyetje për këtë vendim të befasishëm. Pas mundësisë për të diskutuar këto sanksione me Sekretarin Blinken gjatë një seance dëgjimorë të Komisionit të Jashtëm të Kongresit, po u kërkoj akses tek i gjithë informacioni ku është bazuar Departamenti i Shtetit për të marrë këtë vendim ndaj Berishës dhe familjes së tij”, lexohet në letër.

Ndërkohë, çështja e shpalljes së Sali Berishës “non grata” në Shtetet e Bashkuara ka qenë pjesë e një seance dëgjimore të zhvilluar dje në Komisionin e Punëve të Jashtme të Shtëpisë së Bardhë ku ishte i pranishëm sekretari amerikan i Shtetit, Blinken.

Kongresmeni republikan nga Nju Jorku, Lee Zeldin ka qenë ai që ka pyetur sekretarin amerikan të Shtetit, Blinken në lidhje me vendimin e kohëve të fundit për të shpallur “non grata” ish presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha.

Zeldin kërkoi nga sekretari Blinken nëse mund të ndante me komitetin, se çfarë provash specifike kishte gjetur në lidhje me këtë vendimmarrje.

“Kohët e fundit keni vendosur sanksione ndaj ish presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha. Çfarë informacioni specifik mund të ndani me komitetin për të justifikuar këtë lëvizje dramatike?”, pyeti kongresmeni.

Në përgjigjen e tij sekretari Blinken u shpreh se Shtetet e Bashkuara po vërejnë me kujdes të gjithë ata që janë të përfshirë në aktivitetet korrupsioni apo që cënojnë demokracinë. Sipas Blinken, procesi për Berishën është duke u zhvilluar normalisht si në çdo rast tjetër të ngjashëm.

“Në vijojmë të shikojmë me kujdes ata që janë të përfshirë në aktivitete korrupsioni, që cënojnë të drejtat e njeriut ose që kërcënojnë principet demokratike. Kjo çështje është duke u zhvilluar në një proces normal. Nuk kam asgjë për të ndarë me komitetin për informacione specifike. Po mund ta bëjë këtë gjë me ju dhe këdo tjetër që është i interesuar”, tha Blinken.

Kongresmeni Zelden insistoi dhe më tej duke thënë se ka tentuar të bëjë disa kërkime personalisht për afera korruptive për ish presidentin Berisha dhe se nuk gjeti asgjë. Ai kërkoi se ku duhet të kërkojë një person informacion, përfshirë këtu dhe median për aferat korruptive të familjes Berisha.

Sekretari Blinken u përgjigj duke thënë se kushdo që kërkon informacion në lidhje me këtë çështje duhet të paraqitet në Zyrën e Legjislacionit apo në Zyrën e Zëdhënësit për Çështjet Publike.