Politika Konstituohet Këshilli i Qarkut Tiranë, kryetar rizgjidhet Aldrin Dalipi

Konstituohet Këshilli i Qarkut Tiranë, kryetar rizgjidhet Aldrin Dalipi

U konstituua sot Këshilli i Qarkut të Tiranës ndërsa Aldrin Dalipi u rizgjodh kryetar i këshillit me 35 vota pro dhe 1 abstenim.

Këshilli i Qarkut të Tiranës ka zhvilluar sot mbledhjen e parë ku ishin të pranishëm, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, kryetari i grupit Parlamentarë të Partisë, Socialiste Taulant Balla, kryebashkiaku Erion Veliaj, por edhe përfaqësues të klerit në Shqipëri.

Pas vërtetimit të mandateve të anëtarëve të këshillit, Bardhylka Kospiri deklaroi konstituimin e Këshillit të Qarkut Tiranë duke vazhduar proceduarën me zgjedhjen e kryetarit të Këshillit të Qarkut,  Aldrin Dalipi dhe nënkryetares së këshillit Nertila Ndreu nga bashkia e Kamzës.

Në fjalën e tij Aldrin Dalipi tha se fokusi ynë do të jetë inkurajimi i zhvillimit rajonal dhe iniciativave të përbashkëta mes bashkive të Qarkut.

“Qarku i Tiranës ka një potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi, mban një peshë të rëndësishme të ekonomisë së vendit, të turizmit, agroturizmit, agrikulturës etj. Tashmë është e rëndësishme që të inkurajohen hapat për hapjen e tregjeve të përbashkëta sipas standardeve më të mira, rritjen e cilësisë së shërbimeve në nivel vendor dhe mundësimin e formimit në këto fusha për të rinjtë. Eksperienca e rajoneve europiane dhe në veçanti atyre në zonën e bregdetit Adriatik janë të vlefshme për t’u aplikuar përmes projekteve të përbashkëta”, tha ai.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në fjalën e hapjes u shpreh se në këtë qark do të kemi histori suksesi jo vetëm në Tiranë që përbën bashkinë tonë, por dhe në bashkitë që përbëjnë qarkun e Tiranës.

“Qarku i Tiranës mori vëmendje në botimin e fundit të INSTAT që ka një rritje prej 8.5% që është dyfishi i rritjes ekonomike  të vendit. Sot jam i kënaqur që konstituojmë qarkun, por kemi mundësi të fillojmë me energji të reja punën”, tha ai.

Në vijim, Veliaj shtoi se janë disa punë që kanë mbetur pezull për shkak të mosbashkëpunimit dhe ne kemi filluar t’i rikuperojmë.

“Ujësjellës Kanalizimet e Tiranës nuk bënim dot ndarje të financave të tyre dhe sistemit të menaxhimit kur bashkitë nuk janë bashkëpunuese. Fakti se në Kamëz dhe në  Vorë kemi kryetar të rinj, çështja e ujit të pijshëm që është mjaftë e ndjeshme për qytetarët tanë e kanë venë në vijë dhe në zgjidhje është një lajm i mirë”, tha ai.

Po ashtu, Veliaj shtoi se qarku duhet të marr një rol të ri. “Në qoftë se roli i qarkut në mandatin e kaluar ishte si “ai i Anton Çetës me pajtim gjaqesh, ku ishte histori suksesi nëse i jepnim dorën njëri-tjetrit”, tani duhet të shkojë në një nivel tjetër për disa çështje që përfshijnë më shumë se disa bashki. Qarku duhet të jetë rregullator që na vendos propocionet në kontribute kur vjen fjala për rrugë që na lidhin me njëri-tjetrit, për ujëra apo ndërmarrje të përbashkëta”, tha ai.

Gjithashtu, Veliaj tha se ne kemi nevojë të rikonceptojmë disa shërbime, ndërsa vlerësoi reformën territoriale të bërë nga qeveria Rama.

“Me të vërtet ka qenë një histori suksesi e qeverisë Rama të transformimit të 400  komunave dhe në 61 bashki, por pavarësisht se jemi rritur në territor ka nevojë për shërbime të përbashkëta dhe s’ka pse Vora të ketë një shërbim tjetër autobusi për Tiranë dhe të licencoje një shërbim tjetër dhe ka mundësi të krijojmë shërbime paralele dhe të drejtoj më formë qarku dhe rajoni”, tha ai.

Në fund, Veliaj vlerësoi punë e Aldrin Dalipi duke u shprehu se ai tani më do të fokusohet te qarku, ajo që është ndërkombëtarizimi i Tiranës, dhe ai ka qenë zëdhënës i kryeqytetit dhe tani më do të jetë për të gjithë qarkun.