Sport Konte: Nisja e pjesës së dytë mund të vriste një elefant, por...

Konte: Nisja e pjesës së dytë mund të vriste një elefant, por jo Interin

Antonio Konte priste një pjesë të dytë më të qetë, pasi dominoi për 45 minuta Sampin.

Por trajneri nuk mund të mos jetë pozitiv për Interin e tij: “Jam i kënaqur nga paraqitja dhe fitorja, por kur krijon kaq shumë, duhet ta mbyllësh ndeshjen. Pjesën e parë duhet ta kishim mbyllur me më shumë se dy gola avantazh. Pastaj shpërdoruam golin e tretë, mbetëm me 10 vetë prej kartonit të kuq të Sançezit dhe na shënuan gol. U krijua një situatë që mund të vriste këdo, përfshirë një elefant, por jo ne. U treguam të zotë duke përballuar goditjen, arritëm ta ekuilibrojmë situatën nga stoli me zëvendësime luftarake”.

SITUATË E RE

Pastaj vlerësimi dhe kritikat për Aleksis Sançezin: “Aleksis shënoi, por pastaj e la skuadrën me 10 vetë. Unë e paralajmëroj gjithnjë kush ndëshkohet. Këshillova atë dhe Bastonin, sepse nuk mund të bësh gjithnjë zëvendësime. Është një eksperiencë më shumë që i bashkohet rrugëtimit tonë, por duhet të qëndrojmë më të kujdesshëm. Mund të kishte shkuar në çdo mënyrë, por djemtë tanë u treguan të zotë duke e përballuar goditjen dhe treguar se janë në rrugën e duhur në planin e mentalitetit. Një ditë si kjo na forcon edhe në planin e mentalitetit.

Sepse të fitosh, nuk mjafton të luash mirë, por duhet karakter dhe shumë gjëra të tjera. Edhe pse do të kisha preferuar që ta shmangnim të gjithë këtë shpenzim energjish. Kur i kanalizon ndeshjet, duhet t’i menaxhosh më mirë. Tani duhet të riaftësohemi dhe përgatitemi për Barcelonën. Juve? Vjen më pas. Jemi krenarë që në këtë përballje direkte jemi të parët me 18 pikë dhe ata pas nesh. Por të qëndrojmë me këmbë në tokë”.