Aktualitet “Kontrollet, mjet për të gjetur prova”, Dumani zbulon se në cilën fazë...

“Kontrollet, mjet për të gjetur prova”, Dumani zbulon se në cilën fazë janë hetimet për Veliajn dhe inceneratorin e Tiranës

Kreu i SPAK, Altin Dumani ditën e sotme ka folur me gazetarët, ku i është përgjigjur një sërë pyetjesh prej tyre. Ndër të tjera Dumani është pyetur edhe në lidhje me hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Kreu i SPAK është shprehur se çështja e Veliajt është në fazën e hetimit paraprak.

Lidhur me kontrollet e bëra në banesën e Veliajt, Dumani thotë se ata janë mjet për kërkimin e provës.

“Çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe nuk mund të bëj publike më shumë informacion. Ju keni raportuar për kontrolle, por ata janë mjet për kërkimin e provës”, shprehet Dumani lidhur me hetimet ndaj Veliajt.

Me 6 dhjetor me urdhër të SPAK, Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit ushtruan kontrolle në banesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Ndërkohë në lidhje me kontrollin e ushtruar në banesën e tij, kryebashkiaku Erion Veliaj është shprehur se është i hapur dhe e mbështet në çdo hap SPAK.

Dumani foli është për çështjen e inceneratorit të Tiranës, për të cilën tha se pas sekuestrimit, ka masa sigurimi për ata që dyshohet se kanë përfituar nga ato fonde.

“Çështja e inceneratorit të Tiranës a është hetuar, ku kanë shkuar paratë?”, pyeti një prej gazetarëve të pranishëm.

“Në momentin që është vendosur sekuestro, inceneratori i Tiranës është nën administrimin e shtetit. Administratori ka detyrimin që ta menaxhojë, ai është personi përgjegjës për paratë. Për çështjen e sekuestrimit ka masë sigurimi, për ata që dyshohet se kanë përfituar nga ato fonde, po ashtu është duke u hetuar edhe për pjesën tjetër të parave”, tha Dumani.

Dumani foli gjithashtu edhe për kallëzimet nga institucionet e tjera në SPAK, për të cilat tha se janë inkurajuar që ta furnizojnë Prokurorinë e Posaçme me materiale.

“Ka institucione që lënë për të dëshiruar, por ne i kemi inkurajuar që të na furnizojnë me kallëzime, kur kanë dyshime për shkelje të ligjit”, përfundoi Dumani.