Showbiz Koreografi Tan Brama: Xhelozi e pastër, Elvana Gjata më bëri unfollow për...

Koreografi Tan Brama: Xhelozi e pastër, Elvana Gjata më bëri unfollow për një video me Arilenën

“Elvana apo Arilena?” “A ja dhanë ato dorën njëra-tjetrës?” “Cila prej tyre e meritonte çmimin e parë për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision?” Kjo ishte dhe është ende çështja që shumë njerëz diskutojnë. Pak ditë më parë, kengëtarja Arilena Ara fitoi çmimin e parë në Festivalin e 58-të të RTSH-së, për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision, ndërsa Elvana Gjata fitoi çmimin e dytë. Zhgënjimi në sytë e kësaj të fundit u shfaq që në momentin kur emri i saj u thirr si fituese e vendit të dytë. Këngëtarja Gjata një ditë më pas u largua nga Shqipëria.

***

Përtej këtij diskutimi, reagimet e miqve dhe kolegëve të Arilenës dhe Elvanës kanë qenë të shumta, ndër to edhe Tan Brama, i cili ka organizuar shumë nga koreografitë e videoklipeve të dy këngëtareve në fjalë. Brama shprehet tejet i revoltuar. Në një prononcim për Boldnews.al, ai tregon se Elvana Gjata i ka bërë dhe unfollow në Instagram, për shkak të një video që koreografi ka shpërndarë me Arilenën. Sipas tij, e gjitha një xhelozi e pastër, vetëm për një video.

“Ne ishim miq të vjetër, nuk e kuptoj pse. E vlerësoj si artiste, dikur kam qenë në turet e saj ku unë çoja grupin e vajzave të performonin bashkë me të. Nuk është hera e parë që ajo më bën diçka të tillë”, shprehet Brama.

Më tej, Brama tregon se si Elvana nuk e njoftoi për të marrë pjesë në koncertet e saj me grupin e kërcimit gjatë Sunny Hill Festival.

“Në Sunny Hill Festival, ajo më hoqi nga formacioni i trupës së kërcimit, pasi unë me grupin tim performova ditën e parë me Elvanën, dhe të nesërmen, sërish në Sunny Hill Festival, por me këngëtaren Kida. Më pas, Elvana nuk më njoftoi për koncertin e radhës, arsyeja tashmë kuptohet pse. Madje kisha dy muaj që përgatitesha për turin e saj. Por në fund fare nuk më njoftuan”, tregon Brama.

Përtej së shkuarës, Tan Brama ka vlerësimin e tij sa i përket fitores së Arilenës, por nuk lë pa përmendur dhe Elvanën e cila fitoi jo pak, por vendin e dytë në festival. Gjithashtu ai tregoi se do të jetë pjesë e Eurovisionit sëbashku me Arilënën, ku do të performojnë duke përfaqësuar Shqipërinë.

“Këngët ishin të mira të dyja, por duke dëgjuar Arilenën, mendoj se ajo premtonte më shumë për Eurovision. Them se do shkëlqejë dhe u gëzova që ajo fitoi çmimin e parë. Në fakt ishte e çuditshme, teksa Elvana ndodhej në skenë publiku brohoriste Arilena, Arilena….

Sidoqoftë, edhe pas gjithë këtyre gjërave, Elvanës i uroj sukses. Arilenës i uroj shumë suksese në Eurovision dhe e di që do shkëlqejë se e ka treguar veten dhe herë të tjera. Do jem bashkë me të dhe grupin e kërcimit duke performuar”, përfundoi Brama.