Sport Koretë bëjnë paqe në derbin më të çuditshëm në botë

Koretë bëjnë paqe në derbin më të çuditshëm në botë

Koreja e Veriut përballë Koresë së Jugut, në një ndeshje të vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2022. Ai që u luajt në Penian ishte padyshim derbi më i çuditshëm në botë. Duke nisur prej faktit se teknikisht, të dy vendet janë ende në luftë. Por, në fushë u ndanë në paqe me rezultatin 0-0.

Takimi u luajt në stadiumin “1 Maji”, impianti më i madh në botë me kapacitet 114 mijë vende. Por, edhe pse është një ndeshje që nxiti interes të jashtëzakonshëm në të gjithë botën, të pranishëm ishin vetëm spektatorë nga Koreja e Veriut.

Të vetmit të huaj që u lejuan në stadium ishin anëtarët e skuadrës dhe të stafit koreano-jugor. I ftuar i veçantë i derbit korean ishte Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Ndeshja nuk u transmetua drejtpërdrejtë sepse asnjë përfaqësues i mediave ndërkombëtare nuk është lejuar në stadium. Zyrtarët e Koresë së Veriut njoftuan se deri 24 orë pas ndeshjes do t’i sigurojnë skuadrës kundërshtare një DVD me ndeshjen e plotë të regjistruar.

Përfaqësueset e Koreve kryesojnë së bashku grupin kualifikues, me 7 pikë.