Ekonomi Koronavirusi, Banka e Shqipërisë njofton për ulje historike të normës bazë të...

Koronavirusi, Banka e Shqipërisë njofton për ulje historike të normës bazë të interesit

Banka e Shqipërisë uli në nivelin më të ulët historik normën bazë të interesit, duke e çuar nga niveli 1% në nivelin 0,5% dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës në nivelin 0,1%.

Vendimi synon zbutjen e efekteve negative të koronavirusit në ekonomi dhe nënkupton ulje të kostove të kredive. Bankat do të kenë likuiditet të mjaftueshëm për të gjithë familjet dhe bizneset që do të kërkojnë të tërheqin para, garantoi Guvernatori Gent Sejko.

“Kjo është një masë e nevojshme për reduktimin e kostos së huamarrjes së re, reduktimin e kostos së borxhit ekzistues dhe për lehtësimin e qarkullimin e likuiditetit në bizneset dhe familjet shqiptare”, tha Sejko.

Guvernatori tha gjithashtu se masat rregullatore dhe institucionale, do të qëndrojnë në fuqi për sa kohë do të jetë e nevojshme.