Opinione Koronavirusi duket më pak vdekjeprurës, megjithatë nuk është “thjesht një grip”

Koronavirusi duket më pak vdekjeprurës, megjithatë nuk është “thjesht një grip”

Nga Mike Lee dhe Sebastian Duchene*

Orteku i infektimeve me koronavirus në pandeminë aktuale është shoqëruar nga një ortek me informacione, që e bën të vështirë të dallosh zhurmën nga lajmet serioze dhe të besueshme.

Mes pyetjeve më thelbësore: sa vdekjeprurës është virusi i ri?

Gjërat e para në fillim: ndryshe nga disa raportime, nuk ka të dhëna se virusi ka evoluar në një varietet të ri që kur u shfaq për herë të parë në fund të vitit të shkuar.

Sigurisht, të gjithë viruset evoluojnë dhe ky nuk është përjashtim, por raportimet për një varietet më të ri dhe më agresiv të këtij virusi tashmë janë tërhequr.

Koronavirusi i ri duket se pëson mutacion me atë shpejtësi sa koronaviruset e tjera, njësoj si SARS në vitin 2002 dhe MERS në vitin 2012.

Kjo do të thotë me gjysmën e shpejtësisë me të cilën pësojnë mutacion viruset e gripit, të cilat në vetvete ndryshojnë kaq ngadalë sa lënë hapësirë për krijimin e vaksinave të përvitshme.

Por sa vdekjeprurës është?

Kjo është pyetja më e rëndësishme, por jo e lehtë për t’iu përgjigjur.

Raportimet për vdekshmërinë e virusit ndryshojnë. Ndërsa shumica e njerëzve shërohen, një pjesë tjetër mund të vdesin për shkak të pneumonisë ose sepsisit.

Më 3 mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se niveli i vdekjeve ishte 3.4 përqind. Të tjerë thonë se kjo shifër mund të jetë mes 3 dhe 5 përqind. Por disa burime thonë se mund të jetë poshtë 1 përqind.

Një arsye për të besuar këto mospërputhje lidhet me faktin se shpesh përdoren dy mënyra për të llogaritur nivelin e vdekjeve.

Niveli i Vdekshmërisë për Rast është numri i vdekjeve i pjesëtuar me numrin e infeksioneve të njohura. Kjo shifër është e vështirë të llogaritet për shkak të mostrave.

Imagjinoni sikur virusi infekton 100 njerëz. 70 nuk shfaqin simptoma dhe nuk e dinë që e kanë. 30 sëmurën dhe diagnostikohen. Nga këta, 1 vdes. Në këtë rast niveli i vdekjeve është 1 përqind, por NVR thotë se është 3.3 përqind.

Ky paragjykim është më i fortë gjatë fazave të para të shpërthimit të epidemive, kur shumë raste të buta nuk diagnostikohen.

Për këtë arsye, disa epidemiologë thonë se niveli i parë i vdekshmërisë mund të jetë shumë i ekzagjeruar.

Mënyra e dytë e matjes është Niveli i Vdekshmërisë për Infeksion. Pra numri i vdekjeve i pjesëtuar me rastin e infeksioneve, të konfirmuara ose jo. Edhe kjo është e vështirë të përllogaritet.

Megjithatë, disa thonë se NVI për koronavirusin e ri është 1 përqind dhe disa të dhëna të reja sugjerojnë se kjo shifër është e besueshme. Teksa testimet shtohen, niveli mes dy modeleve të të dhënave ngushtohet. Kjo po ndodh në Korenë e Jugut, ku numri shumë i lartë i testimeve ka bërë që niveli i vdekshmërisë të jetë 0.6 përqind.

Në mënyrë të ngjashme, infektimi në kroçieren Diamond Princess është më i qartë. Atje vdiqën shtatë persona dhe u infektuan më shumë se 600 njerëz. Në këtë mënyrë, vdekshmëria është 1.2 përqind. Kjo është më e lartë se në Korenë e Jugut, por duhet të kujton se në anije, shumica e pasagjerëve janë mbi 70 vjeç.

Megjithatë nuk është një grip

Edhe me një nivel vdekshmërie prej 1 përqind, shifra është shumë shqetësuese. Të dhënat e publikuara sugjerojnë se 20 deri në 60 përqind e australianëve do e marrin virusin, që do të thotë nga 50 deri në 150 mijë vdekje.

Sa për krahasim, 35 milionë amerikanë u prekën nga gripi vitin e shkuar, me 34 mijë vdekje, diçka më pak se 0.1 përqind.

Koronavirusi është shumë më vdekjeprurës se gripi sezonal, veçanërisht për të moshuarit, dhe nuk ka vaksinë.

Për shkak se virusi godet të moshuarit më fort, vendet me popullsi më të moshuar do jenë më të prekura. Bazuar vetëm te demografia, niveli i vdekjeve në Itali është shtatë herë më i lartë se në Nigeri. Natyrisht vdekshmëria do varet edhe nga reagimet e sistemeve shëndetësore të ndryshme dhe nga masat e kufizimeve.

Ka edhe një anë tjetër shqetësuese niveli më i ulët i vdekshmërisë nga sa ishte menduar në fillim. Kjo do të thotë se për çdo vdekje, numri i të infektuarve është shumë më i madh. Shumica e vdekjeve nga koronavirusi i ri ndodhin të paktën 2 javë pas infektimit. Kështu që një vdekje e vetme sot nënkupton se 100 njerëz janë infektuar dy javë më parë. Ky numër rritet në mënyrë eksponenciale të disa qindra sot.

Pasojat janë të dukshme. Nuk duhet pritur derisa shumë njerëz të vdesin përpara se të marrim masa ekstreme kufizimi. Deri atëherë, shpërthimi do jetë shumë i madh dhe i vështirë për t’u menaxhuar.

*The Conversation