Aktualitet Koronavirusi, epidemiologia: Në Shqipëri kemi një përqindje të madhe të rasteve të...

Koronavirusi, epidemiologia: Në Shqipëri kemi një përqindje të madhe të rasteve të lehta

“Në fillim të pandemisë, ne nuk e njihnim sjelljen e virusit, por tashmë çdo ditë ne mësojmë të reja nga ky virus. Është një luftë e re që ne e luftojmë të gjithë bashkë. Mund të themi që në Shqipëri kemi një përqindje të konsiderueshme të rasteve të lehta dhe këtë e tregon edhe numri i të shtruarve në spitale. Mund të themi se virusi nuk është shumë agresiv”.

Kështu u shpreh në A2 epidemiologia Adela Vasili, teksa komentoi situatën në vendin tonë nga pandemia e koronavirusit.

Më tej, Vasili u shpreh se pavarësisht rënies së numri të rasteve të reja, puna duhet të vijojë me të njëjtin ritëm dhe qytetarët nuk duhet të abuzojnë, por të respektojnë masat. Ajo theksoi se në Shqipëri asnjë vatër nuk është jashtë kontrollit.

Sa i përket testit të ri të përmendur një ditë më parë, Vasili tha se ai do të shërbejë për vendosjen më lehtë të diagnozës, por sigurisht më efikas është ai i PCR, që përdoret edhe aktualisht.

Për strategjinë e testimeve, epidemiologia thekson se nuk ka asnjë arsye pse të ndryshojë, kur deri tani ka dhënë rezultat. “Strategjia që kemi ndjekur na ka çuar në këto rezultate, që mendoj se janë të mira dhe nuk kemi arsye se pse të ndryshojmë strategji. Vlerësimi për testimin ka disa kritere dhe ato shikohen nga ekspertët. Jo çdo person mund të kryejë testime”, tha epidemiologia.