Rajoni Koronavirusi, Greqia drejt mbylljes së kufijve?

Koronavirusi, Greqia drejt mbylljes së kufijve?

Greqia mund të bëhet vendi i parë në Europë që do të mbyllë kufijtë për të mbajtur larg emigrantët dhe refugjatët me koronavirus.

Në një veprim të papritur, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis vendosi të enjten të shtojë kontrollet kufitare në nivelin “maksimal” për të parandaluar hyrjen e emigrantëve të prekur nga virusi në territorin grek. Niveli maksimal parandalues ​​është hapi i fundit para mbylljes totale të kufijve dhe aplikohet nga vendet e zonës Schengen vetëm në raste emergjencash.

“Emigrimi tani po merr një dimension të ri, pasi flukset në Greqi përfshijnë njerëz nga Irani, ku kemi pasur shumë raste të koronavirusit dhe shumë që kalojnë nëpër Afganistan. Ishujt tanë,, që tashmë janë tejet të ngarkuar nga emigrantët me probleme shëndetësore, duhet të mbrohen dy herë”, tha kreu i qeverisë greke  në një deklaratë për mediat.

Kryeministri grek shtoi se duhet të bëhet gjithçka në mënyrë që të shmanget hyrja e emigrantëve me koronavirus. Mitsotakis tha se vendi do të aplikonte rregulloren e të BE-së për kontrollin maksimal të kufijve, duke ia kaluar edhe Italisë dhe shtoi se Athina tashmë ka njoftuar Komisionin Evropian.

“Komisioni duhet ta trajtojë vendimin tim si një masë për të mbrojtur shëndetin e Evropës në tërësi,” tha Mitsotakis.

“Blindimi” i kufijve

Ministrisë së Transportit dhe Rojes Bregdetare u është kërkuar të rrisë ndjeshëm numrin e anijeve dhe patrullimeve në ishujt e Egjeut Lindor. Mitsotakis tha se Greqia do të nisë një fushatë ndërkombëtare, me paralajmërimin se vendi i tij nuk mund të pranojë më hyrje të paligjshme.

Katër të prekur

“Blindimi” i kufijve në Greqi vjen pasi autoritetet shëndetësore konfirmuan rastin e katërt të koronavirusit premten. Ndërkohë që numri i rasteve të koronavirusit rritet, supermarketet në vendin fqinj kanë filluar të zbrazen, pasi qytetarët po bëhen gati për një shpërthim të mundshëm të epidemisë.

Rasti i katërt në Greqi është një grua 36-vjeçare që kohët e fundit u kthye në Athinë nga Italia e veriut. Ajo ndodhet në një njësi izolimit në Spitalin Attikon në Athinë dhe deri më tani mësohet se është  në gjendje të mirë shëndetësore.

Tri rastet e tjera, të ashtuquajtur “pacientë zero” janë një grua 38-vjeçare që u kthye në Selanik nga Italia veriore në fillim të kësaj jave, djali i saj 10-vjeçar dhe një grua 40-vjeçare që kohët e fundit u kthye po ashtu nga Italia.

Ata që kanë qenë në kontakt të ngushtë me pacientët e infektuar po mbahen nën izolim dhe po kryejnë testime. Ndërkohë raste të dyshimta u raportuan të premten në Lamia, Karditsa, Halkidiki dhe Serres.

Një faktor tjetër përse autoritetet greke po forcojnë sigurinë e kufijve janë edhe raportet se Turqia nuk do t’i ndalojë më refugjatët sirianë të udhëtojnë në Europë.