Bota Koronavirusi/ Italia pezullon lëvizjen Shengen, shkollat dhe sportin

Koronavirusi/ Italia pezullon lëvizjen Shengen, shkollat dhe sportin

Numri i rasteve të prekura nga koronavirusi në Italinë fqinje, një nga shtetet më të prekura në Europë, i ka arritur në pothuajse 80, duke shkaktuar dy të vdekur e duke detyruar qeverinë italiane të mbyllë shkollat e universitetet dhe të ndërpresin aktivitetet kulturore.

Autoritetet në dy rajone, Lombardi dhe Veteno, më të prekurat nga virusi vdekjeprurës, kanë anuluar mbi 100 aktivitete sportive, mes tyre ndeshjet Inter-Sampdoria, Atalanta-Sassuolo dhe Verona-Cagliari. Me një dekret emergjence, qeveria vendosi masa speciale në zonat më të prekura.

Kryeministri Giuseppe Conte tha: “Kam pyetur veten pse kaq shumë raste në Itali, të gjitha të zbuluara menjëherë. Konfirmoj se kemi adoptuar një manual të qartë që prej fillimit. Mes vendeve të Perëndimit, ku standardet e mbrojtjes shëndetësore janë në nivelin më të lartë, ne jemi vendi që kemi adoptuar masat më rigoroze dhe më të përpikta që prej fillimit”.

Viktima e parë në Itali ishte një e moshuar 76-vjeçare, e cila rezultoi pozitive në mes të javës. Pas saj, të premten ndërroi jetë në një spital pranë Padovas një 78-vjeçar. Bashkëshortja dhe vajza e tij rezultojnë po ashtu të prekura nga koronavirusi, ndërsa autoritetet po konsiderojnë edhe faktin se virusi është përhapur në rajon, për shkak të aktiviteteve në kuadër të karnavaleve në Venecia.

“Për momentin kemi vendosur të pezullojmë marrëveshjen e Shengenit dhe lëvizjen e lirë të njerëzve. Mendojmë se kjo është mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e virusit dhe për të mbrojur qytetarët italianë”, deklaroi Conte.

54 raste të tjera janë regjistruar pranë Lombardisë si dhe në Milano, qytetin me popullsi 1,4 milionë banorë e në të cilin po zhvillohet një tjetër aktivitet, java e modës. Organizatorët thonë se aktiviteti është shtyrë për në muajin maj.