Bota Koronavirusi, Kina ndalon 60 milionë persona të mos dalin nga shtëpitë

Koronavirusi, Kina ndalon 60 milionë persona të mos dalin nga shtëpitë

Edhe pse në 24 orët e fundit rastet e reja me koronavirus pësuan një rënie të vogël, situata nga epidemia vazhdon të jetë e rëndë. Pas shumë masave të ndërmarra më herët për të luftuar epideminë, Kina u ka kërkuar 60 milionë personave në Hubei që të mos dalin nga shtëpitë e tyre.

Po ashtu, atyre u është ndaluar edhe përdorimi i makinave private. Vetëm një person për familje do të dalë njëherë në tre ditë për të blerë ushqime.

Virusi vdekjeprurës, i cili mendohet ta ketë origjinën nga një treg ku shiteshin kafshë të egra në provincën kineze të Hubeit, e ka vendosur Partinë Komuniste në një sfidë të madhe për të parandaluar përhapjen e tij dhe në të njëjtën kohë për të minimizuar dëmet e ekonomisë të dytë më të madhe në botë.

Të dhënat e fundit nga Pekini zyrtar raportojnë për 68 500 të prekur nga koronavirusi, prej të cilëve 1665  kanë humbur jetën. Ndërkohë që një ditë më parë është regjistruar dhe viktima e parë nga ky virus në Europë.

Komisioni kombëtar i Shëndetësisë bën me dije se gjatë të dielës u regjistruan 2009 raste të reja të prekurish krahasuar me 2641 raste që ishin një ditë më parë. Në 24 orët e fundit pati 142 viktima, një më pak se dita e shtunë.