Bota Koronavirusi mbërrin në Afrikë, dyfishohen rastet në Francë, bursat në pikiatë

Koronavirusi mbërrin në Afrikë, dyfishohen rastet në Francë, bursat në pikiatë

Bursat europiane shkuan sërish në pikiatë të premten, ndërsa rasti i parë më Covid-19 në Afrikën sub-sahariane shtoi frikën se koronavirusi mund të dëmtojë ekonominë globale.

Indeksi FTSE në Britaninë e Madhe ra me 3.3 për qind, ndërsa DAX i Gjermanisë me 3.2, çka shtoi edhe më tej dhimbjen pas javës më të keqe që prej 2008-tës.

Dow Jones në SHBA përjetoi rënien më të madhe në histori, prej 4.4 për qind. Indeksi i Tokios u tkurr me 3.7%  ndërsa në Shangai dhe Hong Kong u regjistruan humbje prej mbi 2.5%.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha së enjten se bota është në një pikë vendimtare të betejës kundër Covid-19. Të gjitha vendet sipas saj, duhet të jenë gati.

Sipas OBSH, koronavirusi ka vrarë 54 persona në 44 vende jashtë Kinës dhe ka ende potencialin e një pandemie. Franca ka përjetuar gjithashtu rritje të konsiderueshme të rasteve nga 18 në 38. Irlanda e Veriut konfirmoi rastin e parë duke çuar në 16 totalin në të gjithë Britaninë.

Shtetet e Bashkuara raportojnë 60 raste me Covid-19. Vatra më e madhe jashtë Kinës mbetët Koreja e Jugut me 2337 raste ndërsa bilanci global është 83 mijë të prekur dhe rreth 2800 të vdekur.