Bota Koronavirusi mbërrin në Maqedoninë e Veriut, konfirmohet rasti i parë

Koronavirusi mbërrin në Maqedoninë e Veriut, konfirmohet rasti i parë

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në një konferencë të jashtëzakonshme ka bërë të ditur se në Maqedoninë e Veriut është shënuar rasti i parë me koronavirus.

Sipas ministrit, bëhet fjalë për një paciente grua të ardhur nga Italia ditët e fundit. Ai tha se nuk ka nevojë për panik dhe se po merren të gjitha masat e duhura.

Filipçe deklaroi se do të bëhen analiza edhe për bashkëudhëtarët e saj me të cilët e infektuara është kthyer nga Italia.

“Bëhet fjalë për grua, e cila ka qëndruar në Itali tek të afërmit e saj për një muaj. Dy javë të tëra ka qenë e sëmurë dhe është trajtuar në Itali, megjithatë nuk i janë bërë analiza të koronavirusit. Do të bëhen analiza të gjithë udhëtarëve, të cilët kanë qenë bashkudhëtarë me të, për të parë nëse edhe tek ta është prezent virusi vdekjeprurës. Gruaja do të qëndrojnë në izolim 14 ditor në Klinikën për sëmundje Infektive, në repartin e posaçëm për izolim”, tha Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Më herët u konfirmua edhe rasti i parë me koronavirus në Greqi. Një 38-vjeçare nga Selaniku ka rezultuar pozitive në testin e virusit.