Sport Koronavirusi, mjeku paralajmëron Maradonën: Je në rrezik, mos shko në stërvitje

Koronavirusi, mjeku paralajmëron Maradonën: Je në rrezik, mos shko në stërvitje

Gimnasia është e gatshme të rikthehet në fushë për të filluar përgatitjet për sezonin e ri. Sidoqoftë, drejtuesi i grupit mund të mos jetë Diego Armando Maradona, trajner i ekipit në fjalë argjentinas. Motra e “Dorës së Zotit” është testuar pozitive për koronavirus, prandaj Pablo Del Compare, menaxheri shëndetësor i klubit, e ka këshilluar ish-yllin e Napolit që të mos shkojë në fushën e stërvitjes, të paktën derisa të marrë rezultatet e testit, të cilit do t’i nënshtrohet ditëve të ardhshme.

“Maradona ende nuk e ka bërë tamponin, – komenton Del Compare. – Padyshim që është person rrisku. Ne po flasim me mjekun e tij personal. Këshilla ime është që në këtë fazë të parë, Maradona të mos dalë në stërvitje. Si subjekt, ai hyn në grupin e rrezikut. Ka shumë faktorë që mund të rrezikojnë shëndetin e tij në rast infeksioni: pesha e tepërt, presioni i lartë i gjakut. Mos harroni se ai u operua kohët e fundit dhe është në prag të 60 viteve. Ne do ta këshillojmë atë të mos vihet në krye të skuadrës në fazën e parë, e cila do të kërkojë shumë përpjekje fizike, por gjithashtu e dimë që Diego është një person special”.

Duke folur pastaj për masat që do të merren për skuadrën, Del Compare shpjegon: “Në kampus kemi kryer të gjithë tamponët. Tani do të fillojnë testet serologjike”. Ndërkohë, motra e Maradonës është mirë, pozitive, por asimptomatike. Ajo do të përfundojë karantinën në Argjentinë, pa ndonjë nevojë për trajtim specifik.