Bota Koronavirusi në rajon: Kosova, dy raste të reja. Serbia do të prodhojë...

Koronavirusi në rajon: Kosova, dy raste të reja. Serbia do të prodhojë respiratorë

Kosova ka frenuar ritmet e larta të përhapjes së koronavirusit. Në 24 orët e fundit u konfirmuan vetëm dy raste të reja me Covid-19, nga 108 teste të kryera.

Të prekurit në total janë 88, ndërsa një person ka humbur jetën. Qeveria ashpërsoi dhe më tej masat duke ndaluar qarkullimin nga ora 17:00 e ditës së sotme deri në orën 06:00 të mëngjesit të së dielës.

Ndërkohë, numri i të prekurve në Serbi po rritet me shpejtësi. Autoritetet raportuan mbi 500 të infektuar dhe 8 viktima. Serbia do të nisë prodhimin e respiratorëve dhe pajisjeve të tjera mbrojtëse për personelin mjekësor, për të përballuar krizën e pandemisë.

Pak më serioze paraqitet gjendja në Maqedoninë e Veriut, ku u konfirmuan 18 raste të reja, duke çuar numrin e të prekurve në 219. Tre persona kanë humbur jetën në këtë shtet për shkak të Covid-19.

Në rajon, Greqia ka numrin më të lartë të të prekurve, me rreth 1 000 të tillë. Viktimat në shtetin helen janë 28.