Bota Koronavirusi në rajon: Vdesin 4 punonjës të Ministrisë së Brendshme në Serbi

Koronavirusi në rajon: Vdesin 4 punonjës të Ministrisë së Brendshme në Serbi

Shkojnë në 10 viktimat e koronavirusit në Kosovë. Një grua 73-vjeçare nga Peja ndërroi jetë të enjten në Kliniken Infektive në Prishtinë.

36 persona të tjerë rezultuan pozitiv ndaj Covid-19, duke e çuar totalin në 423 raste. Sipas të dhënave të përditësuara, 63 pacientë po trajtohen ne spitalin infektiv. 50 prej tyre janë në gjendje të qëndrueshme, ndërsa 10 nën kujdes intensiv. Me qëllim frenimin e pandemisë, të mërkurën hynë në fuqi masat e reja të lëvizjes së qytetarëve, të cilat do të jenë të vlefshme deri në 4 maj.

Serbia mbetet shteti me më shumë raste në Ballkan, me mbi 4800 të tilla dhe 99 vdekje. Mes viktimave janë edhe 4 punonjës të Ministrisë së Brendshme.

Greqia numëron mbi 2100 të infektuar dhe 102 viktima, por ritmi i përhapjes duket të jetë ngadalësuar ndjeshëm në këtë vend.

Në Maqedoninë e Veriut numri i viktimave është rritur në 45, ndërsa të prekurit janë 974.