Bota Koronavirusi në Spanjë: Regjistrohet numri më i ulët i viktimave që prej...

Koronavirusi në Spanjë: Regjistrohet numri më i ulët i viktimave që prej 24 marsit

Spanja vijon me përmirësimin gradual në betejën kundër pandemisë koronavirus. 637 persona humbën jetën në 24 orët e fundit, shifra më e ulët që prej 24 marsit. Në total, Covid-19 ka shkaktuar mbi 13 mijë viktima në këtë shtet, sipas të dhënave të raportuara nga ministria e shëndetësisë.

Spanja regjistron më shumë se 135 mijë vetë të prekur nga koronavirusi i ri, ku 60 mijë prej tyre rezultojnë të shtruar në struktura spitalore, ndërsa 40 mijë të shëruar. E lartë është dhe shifra e pacientëve që kanë nevojë për terapi intensive: rreth 7 mijë të infektuar janë intubuar pasi nuk janë në gjendje të frymojnë. Për shkak të përmirësimit të situatës, qeveria spanjolle po mendon për heqjen graduale të masave shtrënguese që u vendosën për të parandaluar përhapjen e Covid-19.

Ndërkohë, raportime shpresëdhënëse vijnë dhe nga Franca. Pas ditëve tepër tragjike, autoritetet në këtë shtet raportuan mbi 500 viktima në 24 orët e fundit, shifër kjo e përgjysmuar nëse e krahasojmë me atë të së dielës. Gjithashtu ka pasur frenim dhe të rasteve të reja, me rreth 3 mijë të tillë, ndërsa në total në Francë janë prekur rreth 93 mijë vetë me koronavirus.

Gjermania mbetet shteti europian më shembullor, sa i përket menaxhimit të pandemisë. Të infektuar kanë kaluar pragun 100 mijë, por është ruajtur trendi i ulët i vdekshmërisë. Më shumë se 100 të infektuar humbën jetën nga Covid-19 në 24 orët e fundit në Gjermani, vend i cili raporton një total prej 1500 viktimash që prej shpërthimit të virusit të ri.