Bota Koronavirusi/ Një në pesë amerikanë është detyruar të qëndrojë në shtëpi

Koronavirusi/ Një në pesë amerikanë është detyruar të qëndrojë në shtëpi

Një në pesë amerikanë është detyruar të mbyllet në shtëpi, për shkak të pandemisë Covid-19.

Një numër i madh shtetesh amerikane kanë urdhëruar qytetarët të qëndrojnë në shtëpi.

Mësohet se shteti i Connecticut dhe Nju Jersey, i janë bashkuar Illinois-it dhe Kalifornias, për të udhëruar qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, si mënyra e vetme për të luftuar koronavirusin.

Gjithashtu, Nju Jorku ka urdhëruar mbylljen e bizneseve.

Të paktën 230 persona mendohet se mund të kenë humbur jetën si pasojë e Covid-19 në SHBA, ndërsa më shumë se 18 mijë e 500 janë infektuar.

Në shkallë botërore, raportohet se më shumë se 270 mijë kanë rezultuar pozitiv dhe mbi 11 mijë persona kanë humbur jetën.

Çfarë masash po marrin shtetet?

Shteti Konetikat, Illinois dhe Nju Jorku të premten morën masa që detyrojnë miliona njerëz për të qëndruar në shtëpi. Kufizimet urdhërojnë që shumica e vendeve të punës të mbyllen, duke kërkuar që punonjësit të qëndrojnë në shtëpi. Dalja nga banesat mund të justifikohet vetëm për plotësimin e nevojave bazike.

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo urdhëroi izolim në mbarë vendin, që do të përfshijë mbylljen e pjesës më të madhe të Empire State dhe qytetin e Nju Jorkut, teksa shteti lufton kundër pandemisë së koronavirusit.

“Duhet ta bëjmë, duhet të jemi seriozë”, deklaroi Cuomo.

“Secili ka liri personale dhe gjithmonë do ta mbroj këtë. Por çdo kush ka përgjegjësi ndaj të tjerëve”, shtoi ai.

Presidenti, Donald Trump e konsideroi një fatkeqësi të madhe përhapjen e shpejtë të pandemisë së Covid-19 në shtetin e Nju Jorkut.

Nju Jorku dhe shtetet fqinj si Nju Xhersi, Konetikat dhe Pensilvania përmes një urdhëri të nxjerrë të premten pezulluan të gjitha bizneset e kujdesit personal.

Gjithashtu, vendimi u mor për të gjitha aktivitetet sportive të ushtruara në natyrë apo pallate sportesh.

Ky njoftim erdhi pasi guvernatori i Kalifornisë, lëshoi një urdhër të ngjashëm, duke urdhëruar të gjithë banorët që të qëndrojnë në shtëpi.

Ai tha se më shumë se gjysma e banorëve të shtetit që drejton, do të preket nga virusi Covid-19 në dy muajt e ardhshëm.

Shumë fotografi nga Los Angeles tregojnë disa nga monumentet më të famshme të qytetit të shkreta, ndërsa autostradat janë pothuajse bosh./BBC