Bota Koronavirusi/ OBSH kritikon ashpër disa vende në Azi: Të ashpërsojnë masat

Koronavirusi/ OBSH kritikon ashpër disa vende në Azi: Të ashpërsojnë masat

Shumë vende të Azisë kanë shtuar përpjekjet për të ndaluar përhapjen e koronavirusit të rrezikshëm. Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëron se disa shtete duhet të ndërmarrin masa më të ashpra.

Malajzia, Sri Lanka dhe Filipinet janë të vetmit që kanë vendosur kontrolle strikte në pikat e tyre kufitare. Rastet në subkontinentin e Azisë së Jugut janë poshtë 500, por ekziston frika që piku i përhapjes së Covid-19 mund të mos përballohet nga sistemet e përkujdesjes shëndetësore. Mianmari dhe Laosi nuk kanë raportuar të infektuar me koronavirus, ndërsa ekspertët shprehen skeptikë lidhur me besueshmërinë e këtij pretendimi. Qeveria e Mianmarit thotë se mënyra e të ushqyerit dhe të jetuarit ka mbrojtur qytetarët nga virusi.

Kina ka numrin më të lartë të të infektuarve, mbi 80 000 të tillë, por rastet e reja janë në minimum. Koreja e Jugut është vlerësuar për përpjekjet e bëra në kontrollimin e virusit vdekjeprurës, duke u renditur në vendin e 6, pas Gjermanisë, në të dhënat e raportuara nga Universiteti Johns Hopkins. Qeveria e Seulit aplikoi mënyra të ndryshme inovative për të testuar më shpejt qytetarët nëse ishin të infektuar ose jo me Covid-19.

Tajlanda ka një shtim të rasteve dhe ka vendosur të mbyllë të gjitha shkollat, baret, restorantet dhe qendrat e argëtimit. Gjithashtu, ka lëvruar një fond prej 8 miliardë dollarësh për të përballuar këtë pandemi.