Aktualitet “Koronavirusi, parashikimi apokaliptik i faqes amerikane për Shqipërinë”

“Koronavirusi, parashikimi apokaliptik i faqes amerikane për Shqipërinë”

Gazmend Koduzi, kreu i Departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike, deklaroi në “Ditari” në A2 se në SHBA ka një parashikim apokaliptik për situatën e koronavirusit në vendin tonë.

“Një faqe amerikane interneti, IHME, bën parashikime se si do të shkojë situata me Covid-19 në vende të ndryshme. Kjo faqe parashikon që në 1 tetor, në Shqipëri do të ketë 1306 vdekje. Është parashikim apokaliptik nëse vazhdohet me këtë keqmenaxhim situate. Nga 16 qershori deri më sot kemi 40 vdekje, më shumë se atëherë kur quhej kulmi i pandemisë”, tha Koduzi.

Sipas tij, qeveria i ka marrë sugjerimet e PD-së si oponencë politike, “por ne kemi bërë vetëm sugjerime teknike për të mirën e popullatës”.

“Tani ka kaluar periudha e sugjerimeve dhe ka ardhur koha për t’i kërkuar llogari qeverisë mbi atë që ka bërë dhe mbi strategjinë e saj. Në fillim, qeveria e pati të thjeshtë, pasi të izolosh njerëzit është e thjeshtë. U nxorën tanket në rrugë dhe njerëzit u mbyllën në shtëpi. Por, sot jemi të fundit në rajon për kite testimesh. Kemi të bëjmë me keqmenaxhim në të gjitha nivelet”, theksoi Koduzi.

“Sot, edhe QSUT është bërë vatër. Të parët që u duhej bërë tamponi ishte personeli shëndetësor, më pas duhej të vazhdohej te pacientët kur hyjnë dhe kur dalin nga QSUT-ja. Qeveria ka mungesë strategjie dhe shifrat tregojnë se e ka lëshuar pa duar situatën”, shtoi Koduzi.