Ekonomi Koronavirusi po shuan “ëndrrën gjermane” të shqiptarëve

Koronavirusi po shuan “ëndrrën gjermane” të shqiptarëve

Berlin - shijim i verës në park megjithë Coronën

Koronavirusi duket se do të shuajë ngadalë edhe ëndrrën e emigrimit drejt Gjermanisë për qëllime punësimi.

Papunësia në këtë shtet ka sjellë mbylljen e shumë kompanive duke prekur rëndë sektorin e hotelerisë, pastrimit dhe shërbimet e sigurisë.

Numri i të huajve të papunë pa pasaportë gjermane sipas Agjencisë Federale të Punësimit u rrit me 24 përqind ose 840 mijë vetë nga muaji mars deri në maj.

Ndërkaq numri i të papunëve me nënshtetësi gjermane gjatë kësaj periudhë është rritur me 19 përqind ose 2 milion vetë.

Në këto kushte koalicioni qeveritar i Angela Merkel planifikon që emigracioni masiv i punëtorëve të pakualifikuar nga Ballkani Perëndimor të jetë i kufizuar në vetëm 15,000 persona.

Rregullorja qe lejon që punëtorët e pakualifikuar nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia të emigrojnë legalisht drejt Gjermanisë nëse kanë një ofertë për punë u prezantua pesë vite më parë.

Qëllimi i kësaj rregulloreje ishte të zvogëlohej imigrimi masiv përmes sistemit të azilit. Vitin e kaluar, sipas raportit te Agjencisë Federale të Punësimit 27,000 punëtorë erdhën në Gjermani në këtë mënyrë.

Grupet parlamentare CDU / CSU kanë rënë dakord që të zgjasin afatin e zbatimit e kësaj rregulloreje edhe për dy vite të tjera por duke zvogëluar ndjeshëm numrat e atyre që do te lejohen të vijnë në Gjermani për qëllime punësimi si deri tani.