Bota Koronavirusi po vret afro-amerikanët në një shkallë të lartë

Koronavirusi po vret afro-amerikanët në një shkallë të lartë

Në kohën kur pandemia e koronavirusit ka mbërthyer të gjithë Shtetet e Bashkuara, është krijuar përshtypja se ky virus po infekton dhe po vret në një shkallë të lartë, madje disproporcionale afro-amerikanët, kjo sipas një analize në “The Washington Post”, bazuar nga të dhënat zyrtare të marra në të gjithë vendin.

Pabarazia e ashpër raciale që po vihet re tani, bëri që ekspertët të pranojnë të martën në mënyrë të nënkuptuar, rrezikun më të lartë për afro-amerikanët. Dhe kjo në mesin e kërkesave në rritje nga opinioni publik, që zyrtarët e shëndetit publik të publikojnë më shumë të dhëna mbi racën e atyre që janë të sëmurë, shtruar në spital, apo që po vdesin nga një pandemi, e cila deri tani ka vrarë më shumë se 12.000 njerëz në Shtetet e Bashkuara.

Një analizë e të dhënave në dispozicion, tregon se zonat që banohen në shumicë nga afro-amerikanët kanë trefishin e nivelit të infektimeve, dhe thuajse një normë 6 herë më të lartë të vdekjeve, sesa në zonat e banuara në shumicë nga bardhët.

Në qarkun Milluoki, ku ndodhet qyteti më i madh i shtetit të Uinkonsinit, afro-amerikanët përbëjnë rreth 70 për qind të të vdekurve, por vetëm 26 përqind të popullsisë. Një pabarazi e ngjashme vërehet edhe në Luiziana, ku 70 përqind e njerëzve që kanë vdekur janë zezakë, edhe pse afro-amerikanët aty përbëjnë vetëm 32 përqind të popullsisë së shtetit.

Në Miçigan, ku deri tani ka pasur 845 të vdekje, afro-amerikanët përbëjnë 33 për qind të rasteve dhe afërsisht 40 për qind të vdekjeve, pavarësisht se përbëjnë vetëm 14 për qind të popullsisë të përgjithshme.

Një analizë e të dhënave tregon se në zonat ku afro-amerikanët janë shumicë, kanë trefishin e nivelit të infeksioneve dhe pothuajse gjashtë herë më shumë shkallën e vdekjeve krahasuar me ato zona ku të bardhit janë shumicë.

Presidenti Donald Trump, pranoi publikisht për herë të parë pabarazinë racore në konferencën e përditshme që po mban këto kohë nga Shtëpia e Bardhë.

“Ne po bëjmë gjithçka që kemi në dorë për ta adresuar këtë sfidë, e cila është e jashtëzakonshme. Situata është e tmerrshme”- theksoi ai. Ai shtoi se Entoni Fauçi, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, po analizon me vëmendje të dhënat.

“Pse numri i viktimave është 3-4 herë më i lartë tek komuniteti afro-amerikan, në krahasim me njerëzit e tjerë? Kjo pyetje nuk ka kuptim, dhe nuk më pëlqen aspak. Ne do të kemi statistika të plota pas 2-3 ditësh”, deklaroi ai.

Ndërkohë, të dhëna të hollësishme mbi racën e pacientëve të prekur nga koronavirusi, janë raportuar publikisht në pak shtete dhe vetëm në disa qarqe.

Guvernatori i Luizianës Xhon Eduards, vuri në dukje se njerëzit me probleme shëndetësore, janë më të prekshëm ndaj sëmundjes së re që prek rrugët e frymëmarrjes.

Kriza po hedh dritë mbi atë sesa të papranueshme janë këto pabarazi, deklaroi Fauçi në konferencën e Trump. “Tani nuk mund të bëjmë asgjë tjetër, përveçse të përpiqemi t’u garantojmë afro-amerikanëve kujdesin më të mirë të mundshëm, për të shmangur ndërlikimet në shëndetin e tyre”- shtoi ai.

Nga ana e tij Kirurgu i Përgjithshëm, Zherom Adams, 45-vjeç, tha :”Unë vetë kam një sëmundje të zemrës dhe kam kaluar një javë në njësinë e kujdesit intensiv, jam astmatik dhe prediabetik, ndaj përfaqësoj trashëgiminë e rritjes në komunitetin e varfër afro-amerikan të Amerikës”.

Adams shtoi se i vjen shumë keq teksa dëgjon për nivelet më të larta të vdekjes nga Covid-19 në komunitetin e zezakëve, duke ritheksuar rekomandimet për të qëndruar në shtëpi, me qëllim ngadalësimin e përhapjes së pandemisë.

Deri më tani, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë raportuar shifra vetëm të bazuara mbi moshën dhe gjininë.

Ligjvënësit, avokatët civilë dhe specialistët e mjekësisë thanë se informacioni është i nevojshëm për të kuptuar se afro-amerikanët dhe njerëzit e tjerë me ngjyrë të kenë një qasje të barabartë në testime dhe trajtim, gjithashtu edhe për të ndihmuar në zhvillimin e një strategjie të shëndetit publik për të mbrojtur nesër ata që mund të preken më lehtë nga kjo pandemi.

Në letrën e drejtuar për Sekretarin e Shëndetit dhe Shërbimeve Sociale, Alex Azar, Komiteti i Avokatëve thekson se mungesa e transparencës dhe të dhënave po krijon bindjen te zyrtarët e shëndetit publik se afro-amerikanët dhe komunitetet e tjera me ngyrë janë më të prekshme ndaj kësaj pandemie.

Një zëdhënës i CDC tha të martën se agjencia po planifikon të përfshijë në raportin e saj të ardhshëm racën dhe përkatësinë etnike për personat e infektuar apo viktimat si pasojë e Covid-19.

Departamentet e shëndetit në shkallë vendi raportojnë rastet e koronavirusit, duke përdorur një formë të standardizuar që kërkon një sërë informacionesh demografike, përfshirë racën dhe përkatësinë etnike.

“Sidoqoftë, ka ndodhur që raportet janë lënë bosh për sa i përket këtyre të dhënave, por agjencitë lokale janë nën presion për të mbledhur dhe raportuar informacione të plota”, tha Scott Pauley, një zëdhënës i CDC.

Ndërsa virusi është përhapur në Shtetet e Bashkuara, informacioni mbi moshën, gjininë dhe vendbanimin është raportuar në mënyrë jo të vazhdueshme dhe krejt të rastësishme.

Në disa rajone, drejtuesit lokal po përpiqen të plotësojnë vetë hendekun e të dhënave.

Kështu shteti i Virxhinias po raporton ndarjen raciale të rasteve të saj me Covid-19, por jo atë mbi viktimat. Në Marilendin fqinj, guvernatori Lerri Hogan deklaroi të martën se shteti do të fillojë të publikojë të dhëna mbi racën, një ditë pasi më shumë se 80 anëtarë të Dhomës së Delegatëve i dërguan një letër, duke e kërkuar një informacionin të tillë.