Bota Koronavirusi, shënohet viktima e 11 në Itali, 322 të infektuar

Koronavirusi, shënohet viktima e 11 në Itali, 322 të infektuar

Numri i viktimave nga koronavirusi në Itali ka arritur në 11, nëntë prej të cilëve në Lombardi dhe dy në Veneto. Viktima e fundit, e cila ka ndërruar jetë në spitalin e Trevizos, është një grua e moshuar, 76 vjeç, e cila ishte shtruar me probleme të rënda në frymëmarrje.

Lombardia është edhe krahina me pjesën dërrmuese të rasteve me persona të infektuar, 240 nga 322 në total. Ndërkohë 43 persona të infektuar janë nga Veneto, ndërsa 26 raste të tjera janë regjistruar në Emilja Romanja, 3 në Piemonte, 3 në Lacio, 3 në Siçili, 2 në Toskanë, 1 në Alto Adixhe dhe 1 në Liguria.

Sipas autoriteteve italiane, koronavirusi Covid-19 ishte në qarkullim prej një ose dy javësh para se të identifikohej edhe pacienti i parë i prekur prej tij, një 38-vjeçar në qytezën Kodonjo. Drejtori i  departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Lartë të Shëndetit, Giovanni Rezza konfirmoi se vatra më e madhe është në Lodinjano, në Lombardi, ndërsa një tjetër në Veneto. Kurse të prekurit e tjerë në Itali vijnë të gjithë nga epiqendra e epidemisë.

Rezza gjithashtu shpjegoi se rastet e vdekshmërisë së lartë, që deri tani llogariten 2-3% të të infektuarve vijnë për shkak se Italia përbëhet nga popullsi me moshë të lartë mesatare. “Të moshuarit janë më të brishtë, e shohim këtë edhe me gripin”, tha ai. “E duke qenë se nuk ka vaksinë për koronavirusin vjen edhe vdekshmëria e lartë”.

Pas një mbledhje për koordinimin e emergjencës në pallatin “Chigi”, Kryeministri Giuseppe Conte tha se mosndjekja e protokollit në spital në zonat e rrezikuara, ka ndikuar në daljen e situatës jashtë kontrollit dhe përhapjen e virusit. Një sërë kufizimesh që prekin rreth 100 mijë njerëz janë njoftuar në pjesë të Lombardisë dhe Venetos përfshirë kryeqytetet e këtyre rajoneve Milano dhe Venecia. Autoritetet kanë mbyllur shkollat, universitetet, muzetë dhe kanë ndaluar grumbullimet publike rreth veriut të Italisë.

Megjithatë, Kryeministri Conte theksoi se Italia është një vend i sigurt dhe se jashtë vatrave mund të udhëtohet pa problem. Deklarata vjen mes shqetësimeve se epidemia, e përqendruar në zemrën financiare dhe industriale të Italisë, mund të dëmtojnë rëndë ekonominë e brishtë të vendit, aktualisht në recesion.