Aktualitet Koronavirusi, të infektuarit në qytetet e ndotura probabilitet më të lartë vdekjeje

Koronavirusi, të infektuarit në qytetet e ndotura probabilitet më të lartë vdekjeje

Aleanca Evropiane e Shëndetit Publik (EPHA) ka paralajmëruar se njerëzit që jetojnë në qytete ose rajone me nivele të larta të ndotjes së ajrit janë në rrezik më të madh nga koronavirusi.

Aleanca Evropiane e Shëndetit Publik (EPHA) thotë se ndotja e ajrit shkakton diabetin, hipertensionin dhe sëmundjet e frymëmarrjes, kushte shëndetësore këto që e bëjnë koronavirusin më vdekjeprurës.

EPHA citon një raport të vitit 2003 që zbuloi se viktimat e SARS ishin 84% më të predispozuara të vdisnin nëse jetonin në një zonë me ndotje të ajrit, krahasuar me ata që jetonin në një zonë më të pastër, thotë “Euronews”.

SARS vrau 774 njerëz midis 2002 dhe 2003 me mbi 8,000 raste të raportuara, shumica e tyre në Kinë. Ashtu si COVID-19, ishte një koronavirus, por u transmetua nga macet te njerëzit.

“Pacientët me sëmundje kronike të mushkërive dhe zemrës të shkaktuara ose të përkeqësuara nga ekspozimi afatgjatë ndaj ndotjes së ajrit janë më pak të aftë të luftojnë infeksionet e mushkërive dhe kanë më shumë të ngjarë të vdesin”, tha Sara De Matteis, profesore e asociuar në Mjekësinë Profesionale dhe Mjedisore në Universitetin Cagliari të Italisë.

“Kjo ka të ngjarë të ndodhë edhe për Covid-19”, tha De Matteis, i cili është gjithashtu një anëtar i Shoqatës Evropiane të Frymëmarrjes.

Ushtruesi i Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të EPHA-s Sascha Marschang argumentoi se ndërsa ajri mund të pastrohet në Evropë dëmi është bërë tashmë në shëndetin e njeriut dhe aftësinë për të luftuar infeksionin.

“Qeveritë duhet të kishin trajtuar ndotjen kronike të ajrit shumë kohë më parë, por i kanë dhënë përparësi ekonomisë mbi shëndetin. Shkenca na thotë se epidemitë si Covid-19 do të ndodhin me një frekuencë në rritje. Kështu që pastrimi i rrugëve është një investim themelor për një të ardhme më të shëndetshme”, tha ai.