Bota Koronavirusi, tre leksionet që Kina nuk i mësoi kurrë

Koronavirusi, tre leksionet që Kina nuk i mësoi kurrë

Në mars të 2003-shit një virus i frikshëm, misterioz dhe i panjohur më parë, u përhap me shpejtësi marramendëse në mbarë botën. SARS, sindroma e vështirësisë akute respiratore infektoi brenda pak javësh mbi 8 mijë persona dhe vrau 800 vetë.

Shumica prej atyre që u infektuan, përfshirë këtu edhe mjekët, kaluan brenda pak ditësh, nga simptomat e gripit, tek pneumonia e rëndë.

Virusi u përhap menjëherë në 26 vende të botës dhe Kina u kritikua nga OBSH për lajmërimin me vonesë të mundësisë së përhapjes së këtij virusi, vdekje prurës.

Sot, 17 vite më vonë, përhapja e një virusi të ri, edhe ky vdekjeprurës, rikthen në memorie situatën me SARS, duke vënë në alarm sigurinë në rang global e duke drejtuar gishtin sërish nga qeveria kineze.

Kina është përgjigjur me masa të ashpra, duke vendosur në karantinë milionë banorë, në disa qytete të prekura tashmë.

Por a është përgjigja në kohë? Dhe a i ka marrë Kina mësimet e duhura, pas përhapjes së SARS në 2003?

Ekspertët flasin për 3 mësime, që Kina duhet t’i kishte marrë pas 17 vitesh, duke nisur nga bashkëpunimi me vendet e tjera, në nivel shëndetësor së pari, e më pas edhe politik.

Mësimi i dytë, për të cilën Kina po kritikohet gjerësisht, është mbulimi i kësaj situate. Koronavirusi është përhapur në disa province kineze, 6 javë më parë, por situata u bë publike dhe alarmante, pasi viktimat e para ishin shënuar.

Dhe mësimi i tretë që Kina duhej të kishte marrë, pas ngjarjeve të 2003, ishte përmirësimi i përgjigjes mjekësore.

SARS-i i 2003 ndryshoi rrënjësisht sistemin mjekësor në Kinë, me rritje të shpenzimeve për këtë fushë. Por jo të gjitha reformat e miratuara në atë kohë, janë implementuar. Alarmi në mbarë botën, u përhap vetëm pas reagimit të Organizatës Botërore Të Shëndetësisë. Por a mjafton veç paralajmërimi për mos-përhapjen e koronavirusit?