Opinione Koronavirusi, unë i padukshmi, por jo i pamposhturi!

Koronavirusi, unë i padukshmi, por jo i pamposhturi!

Nga Lutfi Dervishi

Keni shpallur luftë ndaj meje! Jo të gjithë.

Disa kanë pezulluar Parlamentet, fluturimet po e po, keni mbyllur kufijtë, keni mbyllur biznesin dhe për më tepër keni mbyllur njerëzit në shtëpi, siç mbyllnit dikur kafshët në kafaz!

Më quani armik të padukshëm. Më keni quajtur tinzar, të pabesë, të poshtër, të lig, më keni krahasuar me malarjen, tuberkulozin, zgjeben, tifon, Kinë e dhënve, gripin spanjoll, gripin e derrit, murtajën.

Më vjen mirë që jo të gjithë më keni shpallur luftë! Ka prej jush që po fërkojnë duart dhe po u ecën biznesi..

Po shoh instragramin dhe facebook-un të mbushur me oferta për maska. Ka shkuar çmimi i një maske sa çmimi i një maskarai!

Organizatën Botërore të Shëndetësisë dëgjoni? Ata në janar thanë që unë nuk transmetohem nga njeriu te njeriu, në shkurt thanë se jam grip si gjithë të tjerët e nuk ka nevojë të mbani maska. Në mars thonë është pandemi, është gjendje lufte dhe tani në prill thonë mobilizohuni dhe vini maskat?

U mobilizuat!?

Keni nxjerrë ushtrinë në rrugë- me makina antiplumb, me automatikë e granata?!

Keni nxjerrë luftanijet, dhe keni mobilizuar gjithë arsenalin ushtarak, ekonomik, financiar e diplomatik e për çfarë për të më luftuar mua?!

Mua, armikun e padukshëm?

Keni dronë e avionë të padukshëm, keni robotë të pamposhtur dhe superkompjuter të mbrojtur nga virusi dhe prapë ende nuk dini si të më mbani larg?

Po më luftoni duke thyer të gjitha nenet ligjit të luftës dhe konventën e Gjenevës.

Harroni se vetë trupi juaj është 10% me viruse?!

Harroni që virusi më i keq jeni ju vetë.

Harroni se ju ka ikur mendja dhe nëse doni vërtet të mos jem afër jush nuk keni nevojë për ushtrinë, për vijë fronti, për heronj e për vaksina….

Vërtet më doni larg trupit tuaj?

Po ju del shkumë duke lodhur trupin e mendjen!

Mblidhni veten e qetësohuni…ju mjafton shkuma sapunit!