Aktualitet Korrupsion me provimet, SPAK arreston pedagogun dhe sekserin

Korrupsion me provimet, SPAK arreston pedagogun dhe sekserin

Policia në Korçë ka arrestuar një pedagog dhe një sekser të dyshuar për korrupsion. Në pranga ka përfunduar pedagogu i Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Shkencave Humane në Universitetin “Fan Noli”, Alket Dino.

Si pjesë e këtij operacioni është arrestuar dhe Xhevi Dervishi pasi dyshohet se ka luajtur rolin e ndërmjetësit. Sipas policisë. Dino ka përfituar shuma monetare në këmbim të dhënies së provimeve për studentët.

Arrestimi i Dinos dhe Dervishit është bërë nga Specialistët për Hetimin kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e SPAK.

Prangosja e tyre është bërë në kushtet e flagrancës pasi janë kapur në afërsi të këtij Fakulteti me një sasi prej 300 eurosh dhe 50.000 lekë, të cilat nga hetimet e kryera dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga studentët.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”.