Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memollën për akuzën e “korrupsionit në zgjedhje”.
GJKKO ka dënuar Memollën me 1 vit burg. Gjykata dha gjithashtu dënim plotësues për Edison Memollën që për 5 vite të mos ushtrojë funksione publike.
Pasi është njohur me dënimin, Memolla është shprehur se pret që të zbardhet vendimi e më pas do të japë një deklaratë më të qartë për mediat.
“Presim të zbardhet vendimi, pastaj do të kemi një deklaratë më të qartë. Do jua japim edhe ju mediave, do e publikojmë”, u shpreh Edison Memolla.
Hetimet për kryebashkiakun nisën pas publikimit në media të një audio-përgjimi ku dëgjohet Edison Memolla, në atë kohë kandidat për kryetar bashkie në Rrogozhinë teksa ndikon tek një elektriçist për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.
Për Prokurorinë e Posaçme, e gjithë kjo bëhej me qëllim që qytetari të votonte në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 Mars 2022. SPAK thotë se hetimet gjithashtu konfirmuan se Memolla premtonte punësime në Bashkinë Rrogozhinë.