Bota Kosova ashpërson masat, nga 20 gushti hyn në zbatim certifikata e vaksinimit

Kosova ashpërson masat, nga 20 gushti hyn në zbatim certifikata e vaksinimit

Kosova ka marrë vendim për ashpërsim të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Prej datës 20 gusht, hyrja në klubet e natës dhe festat familjare të bëhet vetëm nëse dëshmohet për certifikatën e vaksinimit të plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19 ose testin për negativ, jo më të vjetër se 72 orë.

Gjithashtu do të lejohet hyrja nëse personi e ka kaluar virusin COVID-19 në 180 ditët e fundit.

Ndërkohë, lokalet dhe restorantet lejohet që të qëndrojnë hapur deri në orën 03:00.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se këto masa janë në përputhje me situatën epidemiologjike, por duke mos cenuar ekonominë. Sipas tij, në të ardhmen nuk përjashtohet masa më rigoroze.

“Masat janë në proporcion me rreziqet e shkaktuara dhe në rrethanat aktuale për parandalimin e COVID-19. Këto masa nuk paraqesin obligimin e detyrueshëm për vaksinim”, tha ai.

Kosova ka shënuar të enjten një numër rekord rastesh të reja me COVID-19 pasi 1009 persona rezultuan pozitivë ndërsa dy persona persona humbën jetën.