Opinione Kosova, dashuria e re e Izraelit

Kosova, dashuria e re e Izraelit

Nga Izraeli Sot

Kosova ishte vendi i vetëm i Ballkanit që nuk ishte njohur nga Izraeli, deri para 4 shtator 2020, kur Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i vendosi në tavolinë për firmë kryeministrit kosovar, Avdullah Hoti, njohjen reciproke me të gjitha atributet që rrjedhin nga marrëveshjet diplomatike dypalëshe.

Marrëveshja e firmosur në shtëpinë më të rëndësishme të botës, Shtëpinë e Bardhë, është një fitore gjeopolitike e shumëfishtë për vendin e vogël të Ballkanit Perëndimor dhe gjithashtu për shtetin e fuqishëm të Lindjes së Mesme.

Mesazhi publik i Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, drejtuar popullit të Kosovës me rastin e aktivitetit e të organizuar në Prishtinë me rastin e Vitit të Ri Hebraik, Rosh Ha’Shana 5781, rikonfirmoi qëndrimin zyrtar të Shtetit të Izraelit, të shprehur me një fjali historike të njeriut që pritet të firmosë njohjen zyrtare: “Në këtë Vit të Ri, unë i shtrij dorën time të miqësisë popullit të Kosovës”.

Tashmë marrëdhëniet historike – Kosova shpëtoi hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore – janë të përkthyer në marrëdhënie diplomatike.

Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Abdullah Hoti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani kanë ritheksuar vullnetin për marrëdhënie të plota me Jerusalemin, përfshirë lidhjet ekonomike dhe vendosje e selisë diplomatike në kryeqytetin e Izraelit.

Kryeministri Benjamin Netanyahu, një njohës i mirë i gjeopolitikës botërore dhe vlerësues për atë që kanë bërë shqiptarët për hebrenjtë  dhe Ministria e Jashtme e Izraelit, e cila realizon në praktikë të gjitha modalitetet që nevojiten për të formuluar njohjen zyrtare, të shkruar në vetëm pak radhë, kanë kompletuar mesazhet diplomatike ndaj një vendi që e njohin si të barabartë, ashtu si edhe Republikën e Shqipërisë.

Ndërsa vullneti politik midis dy vendeve është rikonfirmuar disa herë, në selinë më të larta të dy shteteve janë duke u përpunuar aktet e formalizmit të nevojshëm në korrespodencën diplomatike dhe arkivore.

Në Jerusalem mezi presin që Prishtina të përfshihet në zinxhirin e shteteve të Ballkanit të njohura nga Izraeli, ashtu si Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina.

Kosova, e cila në shumë raste ka deklaruar se dëshiron të jetë në të ardhmen një “Startup Nation”, ashtu si edhe etiketohet Izraeli në mediet ndërkombëtare, i ka të gjitha mundësitë, që për shkak dhe gjeneratës së re të shndërrohet një qendër inovacioni në Ballkan, teksa edhe interesimi i sipërmarrësve izraelitë synojnë të realizojnë investime thelbësore disa milionëshe në fusha të ndryshme të ekonomisë kosovare.

Kosova është dashuria e re e Izraelit!