Kosova Kosova dhe Serbia pranojnë dialogun/ Grenell: Më 27 qershor liderët takohen në...

Kosova dhe Serbia pranojnë dialogun/ Grenell: Më 27 qershor liderët takohen në Shtëpinë e Bardhë

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun, Richard Grenell përmes Twitterit ka konfirmuar se më 27 qershor do të ketë diskutime për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se është marrë vesh me Serbinë për ndaljen e fushatës për çnjohje të Kosovës dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Deri më datën 27 qershor, delegacione nga Serbia dhe Kosova do të takohen në Uashington për të biseduar.

“Lajme të shkëlqyeshme! Unë kam marrë premtim nga qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë për të ndaluar përkohësisht fushatën e mosnjohjes dhe kërkimin e anëtarësimit ndërkombëtar në mënyrë që të takohemi në Uashington, DC në Shtëpinë e Bardhë në 27 qershor për diskutime për Dialogun”, ka thënë ai.

“Nëse asnjëra palë nuk është e kënaqur me bisedimet në datën 27 qershor, atëherë ato do të mund t’iu kthehen statuskuos pasi të largohen nga Uashingtoni. Siç kemi thënë vazhdimisht, ne duhet fillimisht të bëjmë progres në rritjen e ekonomive tona. Ky është qëllimi. Mezi pres të fillojmë këto bisedime”, ka shtuar Grenell.