Bota Kosova ofron 1,500 euro mbështetje për familjet që kanë humbur pjesëtarë nga...

Kosova ofron 1,500 euro mbështetje për familjet që kanë humbur pjesëtarë nga COVID-19

Qeveria e Kosovës do t’u ofrojë një mbështetje prej 1,500 euro familjeve që kanë humbur pjesëtarë të tyre nga COVID-19.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka nënshkruar vendimin për përcaktimin e kritereve dhe kushteve lidhur me këtë vendim që është pjesë e pakos së tretë të ndihmës për pasojat e koronavirusit.

Në linjë me politikat që synojnë lehtësimin e pasojave të pandemisë COVID-19, kjo masë synon mbështetjen financiare të familjeve që kanë humbur një pjesëtarë të tyre si rezultat i infektimit me COVID-19. Kjo bëhet në përpjekje për të zbutur vështirësitë financiare me të cilat këto familje mund të përballen.

Mbështetje më të veçantë do të ketë për familjet e stafit mjekësor në sektorin publik duke qenë se kanë mbajtur barrën kryesore për ruajtjen e shëndetit publik dhe gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare kanë qenë drejtpërdrejtë të rrezikuar nga virusi.

Qytetarët e Kosovës do të bëjnë aplikim për të përfituar një mbështetje të tillë në mënyrë elektronike dhe aplikimet do të jenë të hapura deri më 30 nëntor.

Për humbjet e jetës pas 1 tetorit, mbështetja do të ofrohet vetëm nëse familjari i vdekur ka qenë i vaksinuar me të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19.