Kryesore Kosova shpall “non grata” dy zyrtarë rusë, presidentja Osmani: Cenuan sigurinë kombëtare

Kosova shpall “non grata” dy zyrtarë rusë, presidentja Osmani: Cenuan sigurinë kombëtare

Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se janë shpallur “non grata” dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë.

Në argumentimin e saj të publikuar në rrjetet sociale, Osmani thekson se zyrtarët e Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë kanë cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës. Ndërkohë MPJD-ja, ka nxjerrë vendimin për shpalljen e tyre persona të padëshirueshëm.

“Këtë javë kam kërkuar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz, t‘i shpallë persona non grata dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, për shkak të aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Sot, MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rusë persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohën i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij”.

Osmani nënvizon se institucionet e Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit rus në rajon, që synon të minojnë arritjet e përbashkëta me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në.

“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë rrënimin e arritjeve tona dhe të SHBA-së, NATO-s, dhe BE-së. Për këtë arsye, do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse.

I siguroj qytetarët e vendit se institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të hezitojnë të veprojnë çdoherë kur cenohet siguria dhe rendi kushtetues në vend”.